“Kemi dëgjuar fjalë të mira për bizneset në Kosovë” -flasin pronarët e kompanive serbe Si kurrë më parë, sot panairi ndërkombëtar ‘Prishtina 2018’ ka qenë i mbushur me biznese të Serbisë. Rreth 70 biznese kanë ekspozuar produktet e tyre në këtë panair, duke shpresuar që deri në fund të panairit do t’i shesin.

E këto kompani kanë fjalë të mira për bizneset kosovare. Për Milan Vukasinovic është hera e parë që merr pjesë në këtë panair.

Vukasinovic është menaxheri gjeneral i biznesit ‘Panon d.o.o- Prodhues të çorapeve’ nga Beogradi i Serbisë. Ai në një intervistë për Indeksonline ka thënë se ndihet i entuzumuar që është pjesë e këtë panairi.

“Kjo është hera e parë që jam këtu. Kështu që ne jemi duke bërë përpjekje të tregojmë produktet tona të biznesmenët kosovarë. Kjo është shumë mirë dhe ne shpresojmë se do të gjejmë dikë që do të jetë i interesuar të punojë me neve. Po ashtu, në këto momente, ne nuk kemi shitur asnjë produkt të qytetarët e Kosovës. Jam i entuziasmuar. Nuk e di. Jemi duke pritur dhe të shohim”, ka thënë ai.

Vukasinovic ka thënë se ka dëgjuar vetëm fjalë të mira nga biznismenet e Serbisë për bizneset kosovare këtu në Prishtinë.

“Ne nuk kemi eksperienca me bizneset kosovare, por, qysh unë kam dëgjuar nga njerëzit e Serbisë, bizneset e Serbisë, unë mund të flas vetëm gjëra të mira. Kjo është e gjitha”, ka thënë ai për Indeksonline.

Edhe Drejtori i kompanisë serbe ‘Borovnica Klub” nga Beogradi, Veselin Dordevic për herë të parë po merr pjesë në këtë panair, duke promovuar teknologji të reja për rritjen e boronicave.

“Akoma nuk kemi shitur asgjë, sepse sot është vetëm fillimi. Por, është shumë mirë këtu. është hera e parë që kemi marr pjesë në këtë panair në Prishtinë. Ne jemi biznes i boronicave ‘Borovnica Klub’ . Dhe ne jemi duke promovuar plantacionet e kolegëve tonë. Jemi duke promovuar pesticide nga Serbia për boronica, po promovojmë teknologjitë të reja për rritjen e boronicave”, ka thënë Dordevic.

Ai për Indeksonline ka thënë se është e rëndësishme për njerëzit e Kosovës të dinë mënyra se si të kultivohen këto boronica edhe në muajin qershor.

“Është shumë e rëndësishme që ta dinë të gjithë njerëzit e këtij regjioni se Kosova, Serbia dhe një pjesë e Rumanisë, mund të kultivojë boronica edhe në muajin qershor, kur e dimë që çmimi për to në këtë kohë është shumë i lartë, ku çmimi iu shkon prej 5 dej 5 e gjysmë për kilogram. Kjo është hera parë për mua në Prishtinë, në panair” ka shtuar ai.

Dordevic ka treguar arsyen e pjesëmarrjes në ‘Prishtina 2018’.

“Para gjashtë muajve, ne kemi shkëmbyer email-a me disa njerëz që janë të interesuar në këtë fushë. Kjo është arsyeja pse ne kemi dashur të jemi këtu, të flasim me njerëz, tua shpjegojmë këto gjëra dhe ndoshta të bashkëpunojmë së bashku” ka thënë në fund ai.

Mirëpo, kjo pjesëmarrje e kompanive serbe që po promovojnë produktet e tyre në Kosovë, nuk u ka pëlqyer edhe shumë kompanive kosovare.

Menaxheri i kompanisë ‘Linda’ nga Gjilani, Idriz Berisha për Indeksonline ka thënë se pjesëmarrja e madhe e kompanive serbe, u ka pamundësuar disa bizneseve kosovare të marrin pjesë në këtë panair.

“Konkurrenca është e mirë për biznesit. Por, ne si biznes e kemi parë që shumë biznesmenët kanë mbetur pa marrë pjesë që i kanë lejuar hapësirë të madhe në këtë panair. Unë mendoj që është mangësi e madhe e organizuesve të këtij panairi, por nuk është pengesë edhe na mundemi të shkojmë me pjesë atje” ka thënë ai.

Berisha ka treguar se në këtë panair merr pjesë që dhjetë herë dhe se ka interesim nga qytetarët për produktet e tyre.

“Kompania jonë daton që nga viti 91 dhe ne merremi kryesisht me pompa të ujit me gjakuzi, me pishina, mozaik qeramikash. Dita e parë, ka interes të qytetarëve, do të shohim deri në ditën e fundit, interesimin apo shtohet. është viti i 10 që marrim pjesë në këtë panair duke u rritur si kompani” ka shtuar ai.

Në këtë panair që organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës, marrin pjesë 170, ku prej tyre 70 janë nga Serbia, 1 nga Shqipëria e tjerat vendase.

Dje, Klubi i Prodhuesve të Kosovës u ka bërë thirrje bizneseve kosovare që ta bojkotojnë panairin me arsyetimin se iu është dhënë hapësirë e madhe bizneseve nga Serbia.

Menjëherë ka reaguar Oda Ekonomike duke i quajtur pseudopatriotë. Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka fajësuar Odën Ekonomike të Kosovës, se nuk ka bërë një organizim të duhur dhe nuk i ka njoftuar bizneset shqiptare për të marrë pjesë në panairin “Prishtina 2018″. Ky panair do të zgjasë deri me 23 prill.