Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat për “Shkaqet e Vdekjeve në Kosovë» për vitet 2014/2015.

Ky publikim u mundësua me punën e përbashkët të ASK-së dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK).

Nga gjithsej vdekje të raportuara në vitin 2014, 79.4% janë të koduara (me diagnozë), ndërsa 20.6% të pakoduara (pa diagnozë).

Në vitin 2015, 81.8% e vdekjeve janë të koduara (me diagnozë), ndërsa 18.2% e vdekjeve janë të pakoduara (pa diagnozë). Pjesëmarrja e vdekjeve të pakoduara është pasojë e mungesës së diagnozës nga personeli mjekësor, kompetent për konstatimin e vdekjes dhe shkakut të vdekjes.

Sipas kodifikimit të shkakut të vdekjes në Kosovë në vitin 2014 vdekjet më të shumta janë nga: sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut (61.0%); sëmundjeve me tumore (17.4%); sëmundjet me simptoma, shenja dhe rezultate jonormale klinike dhe laboratorike të paklasifikuara gjetiu (4.1%), etj. Ndërsa, në vitin 2015, vdekjet më të shumta janë nga: sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut (62.7%); sëmundjet me tumore (14.7%); sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes (5.4%), etj.