Sali Berisha e thyen edhe një rekord

Sali Berisha e thyen edhe një rekord

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kaluar një fundjavë relaksuese pranë detit. Por përveç relaksit, Berisha është marre edhe me aktivitet fizik, si ecja e lirë dhe ngjitja.
Duke qenë i pasionuar pas rekordeve, ai ka shkarkuar një aplikacion në celularin e tij, që quhet ‘Fitbit’ dhe që kushdo që do të qëndrojë në formë të mirë fizike e ka në celular.

Pas rekordit të notit në Dhërmi, ish-kryeministri ka treguar se edhe pse është 72-vjeç, ai arrin ta mbajë trupin në formë dhe të bëjë plot 10,23 kilometra ecje gjatë ditës. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Berisha në facebook.

“Relaks! Bilanci i së shtunës në ecje të gjatë dhe ngjitje shkallësh, sipas ‘Fitbitit’ tim ishte vërtet ripërtëritës! sb”, shkruan Berisha në facebook.

Ecja dhe ngjitja janë pasione të kahershme të Berishës, i cili gjatë vizitës së tij në Kinë në vitin 2009, vizitoi Murin Kinez në Badaling dhe ngjiti mbi 1500 shkallët që të çojnë në njërën nga majat e këtij segmenti. Berishës madje, iu akordua nga autoritetet lokale, një certifikatë:

“Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes. Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë në mur se çdo kryeministër tjetër që ka vizituar murin. Iu përgjigja se kjo ngjitje është sa kulturore, aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim. Pjesa tjetër, është pjesa zyrtare”, është shprehur Berisha pas marrjes së certifikatës.