Teuta Sahatqija nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se vendimi i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, për shkarkimin e 12 ambasadorëve është një mesazh jo i mirë nga Kosova për shtetet në të cilat kanë operuar këta diplomatë shtetëror.

Ajo në Rubikon të Klan Kosovës ka deklaruar se edhe nga aspekti procedural nuk është në rregull ky zhvillim politik.

“Në radhë të parë ky arsyetimi i Donika Gërvallës për shkarkim nuk po duket që ka fare bazë. Ajo iu referua ligjit, në të cilin thuhet se 50 përqind që janë ambasadorë, tash me këtë vendimin e ministres kemi zero ambasadorë me çelës politikë. Në anën tjetër janë edhe shtatë vende të botës, në të cilat Kosova nuk ka ambasadorë, pra në shtatë kryeqytetet më të rëndësishme të botës. Ndërsa, me këtë vendimin tjetër Kosova ka mbetur komplet e pa mbuluar nga ambasadorët në një numër të vendeve kyçe”.

“Do të kalojnë shumë kohë derisa të emërohen ambasadorët e rinj. Shkarkimi i ambasadorëve përnjëherë nga nga aspekti procedural nuk është në rregull. Ambasadorët tërhiqen, në rast kur ka një shkelje të rëndë ose tërhiqen në kohën kur dëshiron t’i tregojë shtetit pranues se kanë diçka kundër. Mendoj që paraprakisht është dashtë të kryhen procedurat dhe pastaj të bëhet tërheqja e ambasadorëve. Politika e jashtme duhet të jetë në një nivel shumë më të lartë dhe jo për politikë të brendshme, dhe jo për të përçuar mesazhe. Mendoj se tregon një papërgatitje të duhur, presim se kush do të jenë ambasadorët që do të vendosen. Krejt kjo është një mesazh jo i mirë për shtetet ku i kemi ambasadorët”.

Sahaqija ka theksuar se nuk do të ishte e duhur që të futen në një listë të përbashkët të gjithë ambasadorët se janë të emëruar politikisht të gjithë, njofton Klan Kosova.

“Futja me një listë e të gjithëve, duke i quajtur një grup të njerëzve që nuk e kanë merituar pozitën, e ka dëmtuar shumë shtetin e Kosovës. Po ashtu edhe në të gjitha ato shtetet që këta ambasadorë vepronin Kosova ka dalë jo mirë”.