Sadio Mane e ka nderuar tifozin e Liverpoolit, Lee Swan, duke e kopjuar një festim të tij në fitoren e Liverpoolit kundër Crystal Palace të shtunën në Premierligë.

Liverpooli bëri paraqitje të përsosur duke e turpëruar 7:0 skuadrën e Palace dhe tani mban kreun e Premierligë në përpjekje për ta mbrojtur titullin, transmeton Gazeta Express.


Mane ishte kyç në Selhurst Park, duke e shënuar golin e dytë në minutën e 35-të. Ai u nxor nga loja gjysmë ore para përfundimit të ndeshjes dhe u duk i mllefosur me vendimin e trajnerit Jurgen Klopp, por assesi nuk harroi ta përmbushë premtimin ndaj Swan derisa u largua nga fusha.

Gjatë një video-bisede muajin e kaluar me Swan, Mane i kërkoi atij ta bëjë një festim të cilin do ta kopjonte më vonë.

“Ju më njihni mua, më pëlqen t’i kopjoj festimet. Nëse keni ndonjë festim, ma shfaqni”, kishte thënë Mane në video-bisedë.

Swan ia shfaqi festimin Manes duke e pushur gishtin të cilin e drejtoi kah qielli më pas.

Falë Manes, Swan e kishte vizituar edhe stadiumin e Liverpoolit, Anfield.

Dhe kur Mane u largua nga fusha e Selhurts Park të shtunën, ai e puthi gishtin dhe e drejtoi kah qielli.