Sëmundjet kardiovaskulare, që prekin zemrën dhe enët e gjakut, vazhdojnë të konsiderohen ndër shkaktarët e parë të vdekjeve në botë. Kjo sëmundje edhe në Kosovë vitin e kaluar ka qenë shkaktarja më e madh e vdekjeve.

Në raportin e Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, që e ka publikuar Ministria e Shëndetësisë, del se në Kardiokirurgji janë kryer rreth 100 operacione gjatë vitit 2018, ku prej tyre kanë vdekur 28 pacientë.

E dyta vjen Neurokirurgjia, e që kjo klinikë brenda Qendrës Klinike Universitare është e vetmja në Kosovë, e cila ofron shërbime të specializuara për intervenime në tru dhe kurriz.

Përqindja e vdekshmërisë në këtë repart spitalor është 12.66 për qind, ndërsa e treta është Nefrologjia me 10.98 për qind.

Adem Grbolar, kardiokirurg, i tha Radios Evropa e Lirë, se shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë as përafërsisht reale. Sipas tij vdekshmëria në këtë Klinikë është shumë më e vogël.

Ai thotë se rastet urgjente, ku vdekshmëria në gjithë botën është shumë e lartë, në Klinikën Kardiokirurgjike brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, arrin në rreth 10 për qind, derisa për rastet jo-urgjente, vdekshmëria është rreth 5 për qind.

“Shifrat nuk janë reale. Ne në Kardiokirurgji kur kemi filluar para një vit e gjysmë me stafin e ri, kemi pasur 100 operacione dhe asnjë vdekje. Prej fillimit deri tash nuk kemi dërguar asnjë pacient jashtë vendit, duke i përkrahur gjithë pacientët dhe duke i trajtuar. Po habitem me këto shifra të publikuara. Te ne po punohet 24 orë dhe po bëhet një punë e madhe, ndonëse nuk e bëjmë publike punën, ta promovojmë ose diçka të tillë. Por, e di se është një sukses i madh prej fillimit të funksionimit 24 orë. Përqindja e vdekshmërisë te rastet me rrezikshmëri të madhe, pra rastet urgjente, vdekshmëria te ne është diku rreth 10 për qind. Ka raste kur në botë shkon edhe deri në 40 për qind”, tha Grbolar.

Të plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë