Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një intervistë për lajmi.net, ka thënë se partia e tij është duke u përgatitur për zgjedhjet nacionale.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nasër Rugova, ka thënë se LDK-ja, krahas përgatitjeve të zgjedhjeve të brendshme është duke bërë edhe përgatitjet për zgjedhjet nacionale.

I pyetur nëse pas zgjedhjeve të brendshme, a do të arrijë që LDK-ja ta çoj vendin në zgjedhjet nacionale?, Rugova ka thënë se ekspertët e kësaj partie janë në fazën përfundimtare të programit qeverisës të LDK-së për periudhën 2019-2023.

“Sigurisht që ne jemi duke u përgatitur për zgjedhjet nacionale. Tani të gjitha trupat profesionale, këshilli i ekspertëve të LDK-së, në të gjitha fushat, pothuajse kanë përfunduar programin qeverisës të LDK-së për periudhën 2019-2023. Është një program, një ofertë serioze për qytetarët, e llogaritur dhe artikuluar me kosto buxhetore dhe limite kohore. Dhe më në fund duhet të rikthehet ajo fryma e LDK-së, rikthimi i besimit, kthimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, rikthimi i relatave shumë të mira me partnerët tanë strategjik. Paramendoni që ne muajt e fundit kemi zbehur shumë marrëdhëniet me partnerët tanë strategjik që siç thotë një fjalë popullore, e kanë “hisen” më të madhe në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Rugova për lajmi.net.

Por, a ka LDK-ja vija të kuqe me ndonjë parti ose a do ta shohim edhe një herë koalicionin qeverisës LDK-PDK, Rugova ka thënë se, ai personalisht e ka kundërshtuar edhe në të kaluarën, por edhe tani e kundërshton një koalicion të tillë.

“ Është Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së që vendos për vija të kuqe. Unë po flas tani dhe po e jap një mendim timin personal. Unë edhe në vitin 2014 mbase kam qenë ndër zërat e paktë që e kam kundërshtuar koalicionin me PDK-në. Unë si deputet i zgjedhur i LDK-së, si Naser Rugova, e kundërshtoj ashpër koalicionin me PDK-në dhe personalisht unë por edhe mjaft kolegë të mi të Grupit Parlamentar, PDK-në e shohim në opozitë minimum për nja dy mandate. Është mendimi i im personal, por besoj se është mendim edhe i mbi 80 për qind të elektoratit të LDK-së”, është shprehur Rugova.