Ekspozimi i tepërt dhe i pambrojtur ndaj diellit është një nga faktorët kryesorë të plakjes së parakohshme dhe dëmtimeve të rënda në lëkurë. Aplikimi i kremrave të duhur kundër diellit, bartja e kapelës dhe syzeve janë hapi i duhur për mbrojtjen e lëkurës.

Megjithëkëtë, një studim i fundit i botuar në revistën e Akademisë amerikane të Dermatologjisë ka treguar se rrushi mund të ndihmojë në mbrojtjen nga rrezet e diellit.

Arsyeja për këtë, sipas revistës, janë polifenolet, burim mikronutrientësh natyralë që ofrojnë shumë përfitime shëndetësore. Polifenolet gjenden në një gamë shumë të gjerë frutash dhe perimesh, si mollët, karotat, manaferrat dhe brokoli.

Shumë studime kanë treguar qysh më herët se këto ushqime, duke qenë se përmbajnë shumë antioksidantë dhe kanë veti antiinframatore, mund të parandalojnë shumë sëmundje.

Në studimin e fundit sasia e rrushit që kanë konsumuar pjesëmarrësit ishte dy gota e gjysmë përditë. Ata këtë sasi e konsumuan për 14 ditë radhazi.

Studimi ka konstatuar se kur pjesëmarrësit u janë ekspozuar rrezeve të diellit është vërejtur se kanë pasur skuqje dukshëm më të pakta në lëkurë, krahasuar me ata që nuk konsumuan rrush.

Kjo bëri që studiuesit të dilnin me përfundimin se konsumi i rrushit mund t’ju mbrojë nga rrezet e diellit. Përveçse sigurohen përfitime nga ky sekret i ri i bukurisë, konsumuesit do të kenë edhe shumë përfitime të tjera shëndetësore.

Duke qenë se rrushi është i pasur me anitoksidantë dhe nutrientë, ai mund të ofrojë mbrojtje nga shumë sëmundje. Konsumi i rregullt i këtij fryti e përmirëson shëndetin e zemrës, u bën mirë enëve e gjakut, si dhe lëkurës.