Pushimet në Kosovë do të përfundonin tragjikisht për babanë e pesë fëmijëve, 42 vjeçarin Xhavit Sadrijaj. Ai do të ndërronte jetë rrugën për te mulliri i fshatit derisa të martën që shkoi së bashku me djalin e tij 11 vjeçar po shkonte për të marrë me traktor dy thasë me miell. Gazeta Express gjatë ditës ka qëndruar në Syriganë të Skënderajt në familjen e të ndjerit ku kanë rrëfyer se si ka ndodhur rasti

Kishte një muaj që kishte ardhur nga Gjermania, e babai i pesë fëmijëve Xhavit Sadrijaj në këtë fund javë do të kthehej në kurbet.

 Pushimet në Kosovë për 42 vjeçarin nga fshati Syriganë e Skenderajt do të përfundonin tragjikisht, kur i njëjti do të nisej me traktor, së bashku me djalin e tij 11 vjeçar për në mullirin e fshatit. 

Rruga për të shkuar aty, nga kushtet e këqija të motit, ishte bërë vështirë e kalueshme, e nga një rrëshqitje e traktorit, Xhaviti do të mbeste i lënduar rëndë për të vdekur pak më vonë në spitalin e Istogut, ndërkaq, Erioni, do të merrte lëndime të lehta trupore.

 Gazeta Express gjatë ditës ka qëndruar në fshatin Syriganë të Skenderajt në familjen e të ndjerit, e në mullirin e fshatit, ku familja e pronari i mullirit kanë rrëfyer për ngjarjen tragjike që ndodhi një ditë më parë. 

Mëngjesin e të mërkurës, familja Sadrijaj kishte hapur dyert për të pame. Shumë persona po shkonin te ata për ngushëllim, e pasdite do t’i jepnin lamtumirën e fundit familjarit, e shokut të tyre.

Vetëm një ditë më parë, Xhaviti, së bashku me djalin e tij Erionin ishin nisur për në mullirin e fshatit, aty ku kishin për të marrë dy thasë me miell. 

Këtë radhë, rruga deri te mulliri e cila ishte jo e asfaltuar ishte bërë vështirë e kalueshme nga kushtet e këqija të motit. Për këtë ai zgjodhi që deri aty të mos shkonte me veturë, por, të merrte traktorin. 

Kjo i kushtoi me jetë, pasi që po me traktor, kur arriti te vendi ku gjendej mulliri do të rrokullisej disa herë për të marrë lëndime të rënda, e edhe pse u dërgua në spital aty do të ndërronte jetë vetëm 15 minuta më vonë. 

Në familjen e Xhavitit atë e kujtojnë me fjalët më të mira, ndërkaq thonë se i njëjti këtë javë do të kthehej për në Gjermani. 

Djali i axhës së tij, Zeqir Sadriaj duke folur për Express ka rrëfyer për rastin. 

“Ka shku me marrë mill, ka rrëshit u ra, se u kanë lloç aty, rruga e keqe, i lëndum o djali i tij, Erioni. Të shtunën ka pas me shku, me fasada ka punu që 2 vjet në Gjermani më herët ka qenë në Slloveni. I ka pesë fëmijë, tre qika e dy djem. Derisa e kanë çu në spital ka qenë gjallë sa e kanë shtri në spital në Istog, mas 15 minutave ka vdek. Lloç ka pas aty edhe borë” shtoi ai, duke thënë se deri aty kishte mundur të shkonte edhe me veturë. “Ka pas mundësi me shku edhe me kerr se rruga është e kalueshme, po fatin e ka pas asisoji, se ka shku me marrë do miell e ka çu me blu. Vetë u kanë rast tragjik, s’ka kurgjo të dyshimtë. Ka punu edhe në Slloveni pastaj u dal në Gjermani. Kemi kaluar tepër mirë me to, jena met tash të habitur me rastin që ka ndodh, po e paska pas deri qetu, spaska pas ymër ma gjatë. Në kohën e fundit ka qenë ma shumë jashtë. Është merr me transport të kerreve. Fjalë të mira tan flasin për to, njeri i qetë ka qenë fatkeqësi. Për këtë fshat për ka sjelljet u kanë shembull s’po di as qysh me përshkru, rast i rënde shumë. Rastin e ka pa zoti i mullinit, edhe policia që kanë qenë afër aty, e kanë dërgu menjëherë po ka pas gjakderdhje të brendshme, kurrë s’ka qenë i smut”, rrëfente Zeqiri.

Djali 11’vjeçar i cili ishte dëshmitar i krejt kësaj ngjarje ka shpëtuar me lëndime të lehta trupore. 

Familjarët thanë se ai kishte treguar se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja duke thënë se e kujtonte mirë rastin. 

Express gjatë ditës ka qëndruar edhe në vendin ku ka ndodhur tragjedia, te mulliri i fshatit. 

Pronari, Ali Kajtazaj i cili ia dha atyre ndihmën e parë, thotë se ishte e pamundur shpëtimi i 42 vjeçarit, edhe pse intervenimi ishte bërë me kohë, e policia për fat kishin qëndruar afër.

 “Ka pas me i marrë dy thash miell, i ka pru me i blu, i ka pru para tri ditëve, dje u ardhë me i marrë ka në ora 10 në 4 kur u ardh mi marrë e ka kthy traktorin ma nalt edhe u ardhë rikferc mbrapa deri këtu, u ardhë me gjithë djalë këtu ju ka bart trapi i parë (pjesa e parë e traktorit) ka tentu me ndreq, si ka dhanë afat ka rrëshit traktori, të parën herë e ka nxanë atë, të dytën herë e ka nxanë ftyrën e tina, qetu me to jam kanë, para mullinit tu e ru mullinin”, tha ai, duke treguar se pas rrëshqitjes, traktori u përplas disa herë, e se se kishte arritur ta shpëtonte djalin në kohë.

 “U përplas disa herë traktori, e kum kap djalin zhag e kum hjek prej qetuhit e kam hjek djalin prej vendit ku ka ndodh ngjarja. Deri sa unë e kum hjek djalin prej atyhit, ai e ka pas krytë të nxantë me traktor, e kam pezullu traktorin e kum qu nalt edhe e kam nxjerrë trupin ai gjallë u kanë edhe ka fol mirë, edhe ka thanë Ali ku e kam djalin, ku osht djali, thash djali është mirë po t’i nuk je mirë nisi u prish në qehre edhe prej veshve i shkojke gjak e kum ngreh zhag e kam thirrë qikën ata i kanë thirrë kojshitë edhe policinë”, vazhdoi Aliu. Ai thotë se disa doganierë kishte qëlluar afër dhe ata e kishin marrë menjëherë Xhavitin e lëndër rëndë për ta dërguar deri në spitalin e Istogut. 

“Ai ka folë deri në Pejë deri aty ka qenë gjallë, djali me vetëdije u kanë veç kamën e ka pas pak të lëndume. Lëndime ka pas në trup i shtypur ka qenë, se dy herë e ka nxanë traktori të dytën herë në kry e ka rrokë, unë e kam ndal traktorin edhe e kam çu përpjetë për me ja hjek krytë edhe me e nxjerr prej aty, po badihava, vec mvetke Ali ku është djali shumë herë, djali o babë, thuj o Ali babës le të çohet më thojke djali”, përfundon rrëfimin pronari i mullirit.

 Sot gjatë ditës, traktori i rrokullisur vazhdonte të qëndronte afër mullirit, ndërsa sot pronari nuk kishte vazhduar punën si çdo ditë tjetër.

Aty kishin mbetur edhe dy thasët me miell, që i ndjeri ishte nisur për t’i marrë. 

42 vjeçari Xhavit Sadrijaj është varrosur sot në varrezat e fshatit Syriganë të Skenderajt. Ai ka lënë prapa gruan dhe pesë fëmijët.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Express se vetëm në vitin 2018’të nga aksidentet me traktor kanë vdekur 3 persona. Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 16:00.

 “Aksidenti ka ndodhur dje rreth orës 16:00 në rrugën lokale të fshatit Syriganë të Skenderajt. Aksidenti ka ndodhur nga pakujdesia e drejtuesit të traktorit, i cili duke lëvizur prapa me traktor del jashtë rrugës, rrokulliset dhe si pasojë e kësaj drejtuesi i traktorit i moshës rreth 42 vjeçar merr lëndime të rënda dhe si pasojë e lëndimeve ndërron jetë në Spitalin e Rajonal të Pejës”, deklaroi Zahiti.