Është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër virusit korona në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, raporton Llapi.info.

Deri më tani, në këtë Komunë janë vaksinuar rreth 2 mijë qytetarë. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.

“Procesi po vazhdon për vaksinim kundër COVID-19. Deri më sot janë vaksinuar 1.971 persona. Të gjithë e kanë kaluar mirë, nuk kanë pasur ankesa pas vaksinimit”, është shprehur Rama.

Vetëm 14 raste pozitive me COVID-19 janë regjistruar që nga e mërkura e kaluar në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Në 24 orët e fundit, sipas IKSHPK-së, dy banorë nga Podujeva rezultuan pozitivë për virusin korona. Njëri është nga fshati Gllamnik dhe tjetri nga fshati Llapashticë e Epërme.

Lakorja e ulët e të infektuarve brenda ditës ka bërë që të ulët dukshëm edhe numri i rasteve aktive. Për dallim nga muaj më parë, kur rastet aktive ishin me qindra, tash në Podujevë aktivë janë vetëm 23 qytetarë.

Ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 5 mijë. Deri tash janë raportuar 61 viktima, kurse rreth 4.429 pacientë janë shpallur të shëruar./Llapi.info