Në kuadër të realizimit të projekteve infrastrukturore në Komunën e Podujevës, Drejtoria e Shërbimeve Publike është duke realizuar projektin për rregullimin e parkingjeve, rrethojave dhe hapësirave të tjera te varrezat e qytetit dhe të disa fshatrave, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Tashmë kanë përfunduar punimet në rregullimin e infastrukturës (rrethoja, parkingje e trotuare) tek varrezat në Obrançë, Bellopojë, Dobratin, Letanc, Katunishtë, Penuhë, Gërdoc, Bradash, Dyz, Dumnicë, Konushec, Gllamnik, Llapashticë, Miroc, Shtedim dhe Përpellac.

Ndërsa, te varrezat në disa lokalitete të tjera punimet do të fillojnë së shpejti.

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, vizituan lokalitetet ku janë duke u kryer punimet tek varrezat./Llapi.info