Adnan Potera arriti t’u ikte tre plumbave që goditën veturën e tij, gjatë kohës sa ajo ishte në lëvizje.

Ngjarja ndodhi në fshatin Sibovc të Komunës së Podujevës. 24-vjeçari e familja e tij sot gjatë ditës kanë dhënë rrëfimin e tyre. Ata besojnë se dikush kishte dashur ta vriste Adnanin, por thonë se nuk dinë më shumë.

Vetura e Adnan Poterës mbrëmë u godit me tre plumba, gjatë kohës sa ky i fundit ishte duke vozitur.

Ngjarja ndodhi në fshatin Sibovc të Komunës së Podujevës, rreth orës 22:30, e 24-vjeçari nga ky tentim -atentat arriti të shpëtonte me pak lëndime.

Menjëherë pas rastit dolën në vend të ngjarjes Policia e Kosovës, këta të fundit morën edhe automjetin për ekzaminim, ndërkaq momentalisht nuk kanë asnjë të dyshuar e po punojnë për të zbardhur ngjarjen.

Adnan Potera e familja e tij kanë dhënë rrëfimin për këtë rast. Ata thonë se djali kishte pasur probleme më herët e mbrëmë dikush kishte tentuar që ta vriste.

Adnan Potera sot gjatë ditës dha deklaratën e tij në polici. Vetëm një natë më parë, derisa po kthehej nga Podujeva, vetura e tij u qëllua me tre plumba gjatë kohës sa ishte në lëvizje, nga persona që ishin në një veturë tjetër. Këta të fundit 24-vjeçari nuk arriti që t’i identifikonte.

Mirëpo, ajo se çka ndodhi mbrëmë, që sipas tij kishte qëllimin që ta linte të vdekur e ka tronditur këtë të fundit.

Duke folur për Gazetën Express, Adnan Potera tregon prapavijën e asaj se çka ndodhi një natë më parë, e se si sipas tij kishte arritur të i shpëtonte plumbave.

“Mbrëmë rreth orës 22:30 jam kanë me veturë tu shku për Podujevë kam pas muzikë duke dëgjuar duke shku rrugës e kam dëgjuar një plumb që ka kërsit në dritare, mbrapa e kam çel derën jam ul poshtë prej aty ja kanë nis me qit edhe tre a katër në karrigë temën”, thotë ai.

Potera po thotë se qëllimi i kushdo që mund të ketë gjuajtur në drejtim të tij, kishte qëllim që ta vriste.

“E ka pas qëllimin veç me më vra edhe për çka nuk e di plumbi mbrapa ka kërsit mos me pas çel derën unë sot isha i vramë, shumë shpejt ka ndodh gjithçka”, rrëfen ai tutje.

Adnan Potera po pranon gjithashtu se ka pasur probleme më parë me ligjin, por se shton se momentalisht nuk ka të tilla. Ai nuk i lidh rastet e mëparshme me atë që i ndodhi mbrëmë. Goditjen me plumba drejt veturës së tij e quan atentat që mund të jetë bërë nga ndonjë person i panjohur.

24-vjeçari është i martuar e ka edhe një fëmijë, teksa shprehet i shqetësuar se mos një gjë e tillë mund të i përsëritet e të rrezikojë edhe anëtarë tjerë të familjes së tij.