Një rrahje ka ndodhur para disa minutash afër shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Reporterin se se aty janë përdorur edhe mjete të forta, me ç’rast një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim.

Për këtë akt janë arrestuar dy persona, gjersa policia njofton se punon në identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

“Rreth orës 11:00 është raportuar për një rrahje në mes të disa personave në rrugën “ Zenel Salihu” në Prishtinë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka arritur të arrestoj dy persona të dyshuar dhe të gjej një shufër metalike që dyshohet të jetë përdorur gjatë rrahjes. Njëri nga ta ka pësuar lëndime trupore dhe aktualisht po merr tretmanin mjekësor nga ekipet mjekësore të emergjencës në stacionin policor. Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin dhe po punon për të identifikuar edhe personat të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Agron Borovci për Reporterin.

Ndërkohë, pika gjaku vazhdojnë të jenë prezente në veturat që kishin qëlluar në afërsi të vendit të ngjarjes.