Ylli portugez nuk ka vendosur ende se kur do të ndalet së luajturi futboll, por thotë se kjo mund të ndodhë vitin tjetër

Ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo mbetet i paqartë se kur do të pensionohet, duke thënë se kjo mund të ndodhë vitin tjetër apo nuk e përjashton mundësinë të luajë deri në moshën 40 vjeçare, shkruan Gazeta Express.

34 vjeçari ka vazhduar të shkëlqejë tek “Zonja e Vjetër” sezonin e shkuar duke realizuar 28 gola në 43 ndeshje në të gjitha kompeticionet duke e ndihmuar gjigantin italian ta fitojë një tjetër titull në Serie A në sezonin 2018-19.

Megjithatë, pesë herë fituesi i Topit të Artë mbetet i pavendosur se kur do të ndalet së luajturi futboll, ndërkohë që e ka pranuar se kjo mund të ndodhë shpejtë.

“Nuk po mendoj për këtë”, ka thënë Ronaldo për “TVI”, përcjell Gazeta Express.

“Ndoshta do ta përfundoj karrierën vitin tjetër… por unë mund të luaj po ashtu deri në 40 apo 41 vjet”, nënvizoi portugezi.

“Nuk e di. Ajo që e them gjithmonë është se unë dua ta shijoj momentin. Dhurata është e shkëlqyeshme dhe më duhet të vazhdoj ta shijoj atë”, ka shtuar Ronaldo.

Krahas disa trofeve individualë, Ronaldo ka fituar trofe të rëndësishëm edhe me Manchester Unitedin dhe Real Madridin, por së fundmi edhe me Juventusin.

Ronaldo dëshiron ta bëjë historinë duke realizuar sa më shumë gola.

“A ka ndonjë futbollist që ka rekorde më të shumta se unë?”, pyet ai.

“Nuk besoj se ka ndonjë futbollist që ka rekord më shumë se unë”, shprehet në fund Ronaldo.