Sulmuesi legjendar brazilian, Ronaldo, ka thënë se ai kishte arritur marrëveshje për të qëndruar te Barcelona, por u transferua te Interi e më pas te Real Madridi, ku edhe kaloi periudhën më të madhe në Spanjë.

Legjenda braziliane ka treguar se nuk deshi të largohej nga Barcelona në vitin 1997 dhe se ishte pajtuar të vazhdonte kontratën, para se të vinte oferta e Interit.

Braziliani qëndroi vetëm një stinor te skuadra nga Katalonja.

Ai ishte duke u ngritur në majë të lojës, kur Interi me shpenzime të mëdha siguroi transferimin e tij. Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Gaspert, për “Goal.com” kishte treguar në vitin 2018 se nuk ka qenë qëllim i tij të shiste Ronaldon atëkohë, por u detyrua të bënte këtë pasi erdhi ofertë rekorde për atë kohë – 19.5 milionë funte, shkruan Koha Ditore.

Kjo deklaratë është mbështetur nga vetë Ronaldo, që ka thënë se ka preferuar të qëndronte më gjatë te Barcelona.

“Unë arrita marrëveshje për të rinovuar kontratën në fund të stinorit dhe shkova me përfaqësuesen e Brazilit. Pesë ditë më vonë më telefonuan dhe më thanë se nuk mund të vazhdoja me rinovimin. Kurrë nuk ishte në duart e mia. Doja të qëndroja. Vendimi nuk ishte në duart e mia. Do të kisha preferuar të qëndroja, por nuk ishte në dorën time”, ka deklaruar Ronaldo për “DAZN Italy”.

Ata që Ronaldo i la pas te Barcelona ishin të trishtuar të shihnin largimin e brazilianit. Miguel Angel Nadal ka vlerësuar se një talent i madh po largohej, një talent që do të mund të definonte një epokë të gjigantit të La Ligas.

“Mendoj se ai ka mundur të definonte një epokë te Barcelona shkaku i stilit të tij. Ishte mëkat”, ka thënë Nadal.
Mbrojtësi anësor ikonik Albert Ferrer ka shtuar: “Nuk e di saktësisht se cilat ishin arsyet, nëse ishte personale apo jo, por vërtet brenda skuadrës ishte e çuditshme kur na u tha se ai nuk do të jetë me ne, pasi përformanca e tij atë vit ishte spektakolare”.

Ronaldo më pas kaloi te Real Madridi ku gëzoi periudhën më produktive të karrierës.

Reali e transferoi në vitin 2002 dhe e shtoi atë në skuadrën e yjeve të njohur si “Galaktikët” të krijuar nga Florentino Perez.

Ronaldo te Reali shënoi 104 gola në 177 ndeshje.

“Unë kam luajtur përkrah Roberto Carlosit te Brazili dhe ai më thoshte të gjitha që përfaqëson Reali dhe se çfarë ka përjetuar atje. Kjo më mbeti në kokë dhe pas disa vjetëve doja ta shihja me sytë e mi. Shkova te Reali dhe ishte edhe më e madhe se që prisja. Kishte pritje të mëdha dhe presion të madh. Sigurisht aty ishin lojtarët më të mirë në botë. Isha i lumtur që ishte aq klub i madh dhe se mund ta ndihmoja për të qenë edhe më i madh”, ka thënë Ronaldo për kohën e tij te Reali.