Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, u ka bërë thirrje tifozëve që të kenë durim pasi që ylli portugez Cristiano Ronaldo ka dështuar të shënojë gol edhe në ndeshjen e tij të dytë zyrtare me Juventusin.

Ronaldo të shtunën luajti ndeshjen e tij të parë zyrtare në shtëpi me fanellën e Juventusit, ndërsa skuadra torineze fitoi 2:0 ndaj Lazios, transmeton “Koha Ditore”. Ronaldo luajti tërë ndeshjen, ndërsa dështoi të gjente golin, ndonëse dha një pasim të pavullnetshëm në momentin e golit të dytë që e shënoi Mario Manxhukiq në minutën e 75-të. Golin e parë për Juventusin e shënoi Miralem Pjaniq në minutën e 30-të.

Ronaldo nuk kishte gjetur golin as në ndeshjen e xhiros së parë që Juventusi e fitoi 3:2 në udhëtim ndaj Chievos. Në atë ndeshje gjatë një dueli ia theu hundën portierit kundërshtar.

Ronaldo te Juventusi kaloi në verë nga Real Madridi për 117 milionë euro. Ardhja e tij ka rritur interesimin për Serie A të Italisë.

“Futbolli italian është krejt ndryshe nga ai në Spanjë dhe Ronaldo e kupton këtë dhe po adaptohet mjaft mirë. Ai është shumë modest dhe jam shumë i lumtur me ndikimin që ka pasur deri më tash”, ka thënë Allegri.

“Kjo ndeshje ka qenë ndryshe nga ajo me Chievon. Ishte pak rrezik se do të pushtohemi nga entuziazmi për paraqitjen e parë të Cristiano Ronaldos në stadium dhe është dashur të kemi pak më tepër durim gjatë ndeshjes. Jam i lumtur në përgjithësi me paraqitjen e skuadrës”.