Kur ka qenë hera e fundit që ke festuar daljen e albumit të artistit të preferuar duke ia mësyrë një dyqani për ta blerë kasetën e tij? Nëse përgjigjja juaj është “në vitet ‘90”, atëherë është e drejtë apo nuk është?

The Official Charts Company (OCC) zbuloi diçka të çuditshme javën e kaluar (më 16 korrik), duke bërë të ditur se mbi 65 mijë kaseta janë blerë nga adhuruesit e muzikës në Britani të Madhe në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Kjo është një rritje e blerjeve të kasetave prej 103 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe këta 65 mijë blerës e kanë lënë në eklips numrin e kasetave që ishin shitur në vitin 2018. Nëse lakorja e shitjes vazhdon të rritet, atëherë në fund të vitit Britania e Madhe mund të ketë 100 mijë kaseta të shitura, diçka që ndodh për herë të parë që nga viti 2003, shkruan NME, transmeton KOHA.

Një lajm i befasishëm? Epo, ndoshta jo nëse jeni ndjekës i “5 Seconds of Summer”, Lady Gaga apo “The 1975”, që janë prapa tri kasetave me të shitura të këtij viti deri më tani. Ndjekësit e “Sports Team”, Tame Impala dhe “Blossoms”, janë po ashtu në mesin e top-20 sa i përket shitjes së kasetave bashkë me Dua Lipën, “The Strokes” dhe Ozzy Osbourne./KOHA