Elita e futbollit kosovar do të fillojë këtë të diel me disa ndeshje mjaft interesante.

Padyshim që vëmendja kryesore do të jetë në qytetin e Pejës, ku do të përballen dy skuadrat e para në tabelë, Prishtina dhe Llapi.

Skuadra nga kryeqyteti kosovar Prishtina, në pamundësi për t’i zhvilluar ndeshjet në stadiumin e saj do të luaj në Pejë.

Prishtinasit janë në pozitën e dytë në tabelë me 32 pikë të grumbulluara vetëm dy më pak se Llapi që është lider.

Kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku ka thënë për faqen zyrtare të klubit se qëllimi është vetëm fitorja por që nuk është ndeshje vendimtare.

“Është kjo ndeshje e radhës për ne. Nuk e mendoj se është ndeshje vendimtare për vazhdimësi të kampionatit, sepse është një ndeshje që është vetëm fillimi i gjysmëstinorit të dytë”.

Armend Dallku (Foto; fcprishtina)
“Normalisht ne si në çdo ndeshje hyjmë vetëm për fitore dhe shpresoj e besoj shumë se do t’ia dalim të fitojmë. Por, e përsëris nuk është kjo ndeshje që vendos gjithçka, as për ne as për Llapin, sepse në vazhdim ka edhe shumë lojë”, ka deklaruar Dallku.

Veterani i Prishtinës do të ketë punë me talentin më të madh në Kosovë, Mirlind Daku i cili është edhe golashënuesi më i mirë i Superligës.

“Ne udhëtojmë drejt Pejës si lider të kampionatit dhe besojmë fuqishëm se do të vazhdojmë të jemi në krye të tabelës edhe pas kësaj sfide”.

“Qëllimi ynë është ta fitojmë çdo ndeshje që kemi para nesh dhe me të njëjtin qëllim luajmë edhe ndaj Prishtinës”, ka thënë Dallku për Telegrafin.

Ndeshje tejet interesante pritet të zhvillohet edhe në qytetin e Gjilanit ku do të përballen dy skuadra tjera pretendente për titullin e kampionit, Drita dhe Feronikeli.

Bardh e kaltërtit zënë pozitën e tretë në tabelë me 30 pikë ndërsa Feronikeli një pozitë më poshtë me dy pikë më pak.

Kampioni në fuqi i Kosovës, Trepça ’89 pas eliminimit nga Kupa e Kosovës do të ketë fokusin kryesor në kampionat ku sot do ta mirëpres Vëllaznimin e Gjakovës.

Drenica e cila kishte rezultate të mira në ndeshjet e fundit të kampionatit do të tentoj të vazhdoj njësoj ndaj Besës në shtëpi, ndërsa Liria do ta mirëpres Vllazninë e Pozhoranit.

Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme do të zhvillohen nga ora 12:30. /Telegrafi/

E diel

Prishtina – Llapi
Drita – Feronikeli
Liria – Vllaznia
Trepça ’89 – Vëllaznimi
Drenica – Besa