Organet përgjegjëse në Kosovë kanë shënuar rezultate minimale në aspektin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Sipas Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu, për vitin e kaluar deri më tani është shënuar vetëm një rast i raportuar i konfiskimit të pasurisë, e që bëhet fjalë për një vlerë prej 23 mijë euro.

“Është një rast, një rast i vetëm i raportuar deri me tani në shumën prej vetëm 23 mijë eurosh për një sistem gjyqësor të tërë ku kemi qindra policë, prokurorë dhe qindra gjyqtarë. E quaj si shifër të papërfillshme”, theksoi Fazliu.

Rezultat e dobëta në konfiskimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale, sipas Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu nuk janë ekskluzivisht rezultat i mungesës së infrastrukturës ligjore.

“Ka me tepër se 24 milionë euro pasuri të ngrirë apo sekuestruar, mirëpo e thash se ekziston një dallim i vogël sa u përket viteve të kaluara, ngase trendi te pasuria e konfiskuar ka rënie dhe këtë vit shifrat e konfiskimeve janë pothuajse në shifrat e papërfillshme. Pra, mezi kemi një rast që ka përfunduar me konfiskim. Gjithmonë po flas sa i takon nëntëmujorit të vitit 2018, pra ende nuk i kemi shifrat e tremujorit të fundit të vitit 2018”, tha Fazliu për Radio Evropa e Lirë.

Sipas Fazliut, në pesë vjetët e fundit ka një pasuri prej 156 milionë eurove që është e ngrirë ose e sekuestruar.

Ndërkaq, lidhur me shifrat e konfiskimeve, nënvizon ai, ato mezi e kalojnë shifrën prej gjithsejtë 3,5 milionë eurosh të konfiskuara në pesë vjetët e fundit. Kjo sipas tij, flet për një disproporcion jashtëzakonisht të madh në mes të pasurisë së sekuestruar dhe asaj së konfiskuar.

Ndërkohë, kryetarja e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu thotë se përveç mungesës së vullnetit politik, legjislacioni që është në fuqi është në shpërputhje me nivelin e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.