Agjencia kundër Korrupsionit ka filluar publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publikë për vitin 2021, shkruan Llapi.info.

Pasurinë e tyre e kanë raportuar edhe kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtorë të Drejtorive, për të cilët ka shkruar Llapi.info gjatë ditës së djeshme, teksa pasurinë e kanë deklaruar edhe këshilltarët komunalë të Podujevës.

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit pasuri të madhe ka deklaruar këshilltari i LDK-së, Agim Behluli. Ai ka deklaruar se ka në pronësi disa restorante që kapin shumën milionëshe, pompa të derivateve, vetura, kamionë etj.

Behluli në AKK ka deklaruar se ka shtëpi të trashëguar në vlerë 200 mijë euro, tokë, male e livadhe në vlerë prej 500 mijë e 500 euro. Pompë të derivateve 80 mijë euro, dy restorante secili me vlerë 600 mijë euro, pompë moteli 350 mijë euro si dhe Q.K.T 250 mijë euro. Të gjitha këto, Behluli i ka deklaruar si pasuri të paluajtshme.

Behluli ka deklaruar se në pasuri të luajtshme ka veturë të tipit “Mercedes” 20 mijë eurosh, 7 kamionë 120 mijë euro si dhe një veturë “Tuareg” 10 mijë euro. Behluli ka deklaruar se ka aksione 100 për qind në N.T.P Kos-Commer. Më tej, ai ka deklaruar se ka 42 mijë euro të kursyera në banka si dhe kredi në vlerë prej 270 mijë euro./Llapi.info

Kjo është pasuria e Shpejtim Bulliqit dhe drejtorëve të Komunës së Podujevës