Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka reaguar pas lajmit të dhënë nga vet Jakup Krasniqi, se është ftuar nga Gjykata Speciale.

“Një jetë e tërë në shërbim të atdheut, luftës për liri dhe ndërtim të shtetit, zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kushtrimit të lavdisë drejt çlirimit të atdheut nga okupatori serb. Qytetari ynë, Atdheu ynë, Kosova e lirë, sovrane dhe e pavarur, e ka të vështirë të shoh bijtë e saj duke u përballur me një Gjykatë e cila gjykon çlirimtarët dhe jo agresorët”, ka shkruar Reçica.

Reçica thotë se lufta e UÇK-së e ka “vulën e përjetshme të bijve dhe bijave tona që u flijuan dhe të atyre që qëndruan në krye të kësaj lufte, sypatrembur e ballëlartë, në shërbim të atdheut”.

“Prandaj, asnjë Gjykatë Ndërkombëtare e asnjë instrument nuk mund të njollosë UÇK-në dhe figurat e saj emblematike. Atdheu ynë synon dhe frymon lirshëm falë çlirimtarëve të UÇK-së!”, ka shkruar ai.