Njëri nga lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës në futsall, Oso Gjinovci, ka kërkuar falje, pasi u ai dhe të tjerët u fotografuan duke pirë cigare.

Pak para nisjes drejt Gjeorgjisë, reprezentuesit e Kosovës në futsall u fotografuan duke pirë cigare në aeroportin ‘Adem Jashari’.


Këto fotografi shkaktuan reagime të shumta, teksa për këtë rast ka folur edhe njëri nga futbollistët kryesor të Kosovës, Oso Gjinovci, i cili është në mesin e atyre që shihen fotografi.

Në një letër dërguar ‘Insportit’, Gjinovci ka kërkuar falje në emër të bashkëlojtarëve dhe ka thënë se ky veprim erdhi pasi që bashkëlojtari i tyre, Malush Qerimi, e ka ditëlindjen.

“Në emër të bashkëlojtarëve, unë Oso Gjinovci kërkoj falje për atë se çfarë ka ndodhur sot në aeroport, para udhëtimit tonë për në Gjeorgji. Kjo çfarë kemi bërë ne, nuk është dashtë të ndodhë, është një gabim për të cilin kërkojmë falje. Ne nuk jemi konsumues të rregullt të cigares. Arsyeja pse ne sot jemi parë duke e bërë atë veprim, është ditëlindja e bashkëlojtarit tonë Malush Qerimi. Jemi të vetëdijshëm se ky veprim nuk është një mesazh që duhet të dërguar te gjeneratat e reja, pasi ne përfaqësojmë shtetin e Kosovës, me shumë përgjegjësi dhe krenari. Ne do të tentojmë që këtë gabim, ta përmirësojmë në parket gjatë këtyre kualifikimeve. Më lejoni që ne në shumë raste kemi udhëtuar dhe kemi zhvilluar ndeshje për Kosovën me mjete financiare vetanake, këtë nuk e kemi përmendur asnjëherë dhe prapë jemi në gjendje të bëjmë një gjë të tillë, pasi për ne më e rëndësishme është fanella e Kosovës. Për fund, ju kërkoj edhe njëherë falje dhe ju garantoj se nuk do të përsëritet ky veprim në të ardhmen”.

Ndryshe, Përfaqësuesja e Kosovës në futsall sot është nisur për në Gjeorgji, atje ku do të marrë pjesë në raundin e parë kualifikues për kampionatin Europian të futsallit ‘Euro 2022’. ‘Dardanët’ do të zhvillojnë tri ndeshje, ndaj Austrisë, Gjermanisë dhe Gjeorgjisë.