Kancelarja gjermane, Angela Merkel reagoi e tronditur pas sulmit në dy xhami në Christchurch në Zelandën e Re.

“Jam e pikëlluar bashkë me zelandezët dhe bashkëqytetarët e tyre, që në mënyrë paqësore po faleshin në xhamitë e tyre dhe u vranë nga urrejtja raciste. Ne qëndrojmë krah për krah kundër një terrori të tillë.

Pas sulmit të përgjakshëm në Zelandën e Re reagoi edhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas. Ai u shpreh se “jemi thellësisht të tronditur nga krimi brutal në Christchurch.” Heiko Maas shkroi në tëitter se “nëse njerëzit vriten vetëm për shkak të fesë së tyre, ky është sulm kundër nesh të gjithëve. Jemi të bashkuar në anën e viktimave. Qëndro e fortë Zelandë e Re!”

Kryeministri australian, Scott Morrison bëri fjalë të premten në mëngjes për një sulm të kryer nga një “terrorist ekstremist, me orientim të djathtë dhe të dhunshëm”. Ai tha se ai ishte një qytetar i lindur në Australi.

Ndërsa në një fjalim në televizion, kryeministrja Jacinda Ardern e quajti këtë sulm si një “nga orët më të errëta të Zelandës së Re”. . “Në Zelandën e re nuk ka vend për dhunë ekstremistësh…ne nuk jemi të tillë”, tha Ardern. U sulmuam sepse “përfaqësojmë diversitetin”, tha Ardern.

Të premten reagoi menjëherë pas sulmeve edhe presidenti turk, Erdogan. Ai shprehur ngushëllime për viktimat dhe tha se ato “janë shembulli i fundit i racizmit në rritje dhe islamofobisë.” Sulmi ndaj dy xhamive ka shkaktuar të paktën 49 viktima e shumë plagosur.

Mediat lokale kanë raportuar, se një person i maskuar kishte qëlluar pa dallim në xhami, ku ndodheshin qindra besimtarë myslimanë. Më vonë u dëgjuan të shtëna në një xhami tjetër në periferi të Christchurch.

Sipas të dhënave të një dëshmitari okular një person i bardhë hyri në xhaminë Al-Noor dhe “qëlloi mbi këdo që ishte para tij”. Të tjerë bënë fjalë për masakër dhe gjakderdhje. Policia australiane ka arrestuar ndërkohë tre burra dhe një grua. Një person rreth 20 vjeç është akuzuar për vrasje. Të katër personat kishin qëndrime ekstremiste të djathta. Sipas raportimeve në media janë gjetur edhe lëndë shpërthyese në automjete, të cilat janë çaktivizuar. Policia bëri fjalë për akt terrorist. Në të gjithë vendin është ngritur shkalla e sigurisë.