Ka shënuar dukshëm rritje numri i rasteve të reja me virusin korona edhe në Komunën e Podujevës, shkruan Llapi.info.

Vetëm gjatë kësaj jave janë regjistruar dhjetëra raste pozitive, ndërkohë që në 24-orët e fundit janë konfirmuar pozitivë 19 qytetarë.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në Podujevë, me këto rastet e reja, tash aktivë me virusin korona janë 102 qytetarë.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama, ka thënë për Llapi.info varianti Omicron ka prekur edhe Podujevën.

“Dyshohet se përqindja më e lartë e rasteve COVID-19 pozitiv janë me variantin Omicron”, është shprehur Rama.

Që nga fillimi i pandemisë, mbi 7 mijë qytetarë llapjanë kanë qenë të infektuar me COVID-19. Prej tyre, 74 raste kanë përfunduar me fatalitet. Deri më tani në Podujevë janë administruar rreth 80 mijë vaksina.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë njoftoi më 14 dhjetor se janë regjistruar 585 raste të reja me koronavirus. Rastet e reja dalin pas testimit të 6,589 mostrave.

Në raportin për 24 orët paraprake bëhet e ditur se janë shëruar edhe 57 pacientë, ndërkaq raste aktive janë 3,339./Llapi.info