Naim Rashiti, analist politik, në “Express Intervistën” në KTV, ka thënë se është një keqkuptim nga realiteti se çfarë po ndodhë në veri kohës së fundit me situatën me koronavirus.

Ai tha se shpesh 4 komunat serbe në veri bëjnë veprime të atilla që kujdesen të mos bien ndesh me njërin regjim ligjor, me atë të Kosovës a të Serbisë.

“Komunat atje, krahas konsulktave që kanë bërë me Beogradin, në realitet kanë marrë vendime konform rekomandimeve të Qeverisë së Kosovës. Ato janë mbuluar ligjërisht. Nuk shoh që ka ndonjë shqetësim rreth atyre se çfarë do të mund të vepronin instanca të caktuara në veri. Edhe qeveria e Serbisë, menjëherë pas vendimeve që kanë marrë autoritetet e veriut konform legjislacioneve dhe kompetencave në kuadër të komunave tëKosovës, kanë lëshuar deklarata e kanë marrë vendime të tilla që të duken se janë në përputhje me autoritetin e tyre. Është një lloj sovraniteti i dyfishtë në praktikë, por se çfarë ndodhë me vendimin aktual, nuk duhet ta shqetësojë askënd. Duhet të menaxhojmë situatë, e pastaj t’i hetojë veprimet atje. Një çështje me rëndësi është kontrolli i kufirit dhe nëse autoritetet e Kosovës e vazhdojnë këtë kontroll siç kanë pasur përpara në kufi, do të jetë i mjaftueshëm që hyrje-daljet kufitare me Serbinë të jenë të ngjashme me të tjerat. Në këtë situatë, kjo do të ishte maksimumi që do të mund të bëhej. Kemi parë edhe KFOR-in që po merret me situatën atje. Unë s’e shoh shqetësuese situatën që po mbretëron tani”, tha ai.

Ajo që është më shqetësuese, sipas tij, janë kërcënimet për kthim te Lugina e Preshevës, ku, siç tha ai, politika e përdorë këtë si karrem, në pamundësi për t’u ballafaquar me Beogradin.

“Askush s’mund t’ia faturojë askujt dështimin në veri. Situata në veri është e zhvilluar për 20 vete, ka cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Mbetet çështja më e vështirë për t’u zgjidhur. Kushdo që tenton të përfitojë nga kjo situatë, do të dështojë. Politika shtetërore duhet të veprojë kujdesshëm me veriun. Ky debat tregon mungesën e guximit dhe aftësisë politike për të gjetur mënyrën më të mirë për integrimin e veriut, sesa që është një çështje që i ka shkuar në dëm apo në favor të ndonjë kulture politike”, deklaroi Rashiti.

Analisti Naim Rashiti thotë se mungesa e unitetit mes partive politike në vend nuk është diçka e re që po ndodhë tani, por se ajo ka ndodhur vazhdimisht që pas vitit 1999.

“Vazhdimisht liderët është dashur të takohen në ambasada të huaja. Pothuajse për çdo gjë, subjektet tona politike nuk pajtohen dhe kështu me gjasë do të vazhdojë edhe një kohë të gjatë, derisa të vijë momenti që liderët të përcaktohen. Qeveria ra pikërisht për shkak të dallimeve brenda koalicionit”, u shpreh Rashiti.

Për insistimin e SHBA-së për një marrëveshje me Serbinë, Rashiti tha se është gabim të thuhet se qeveria Kurti ra nga presioni i administratës amerikane.