Ylli i Werder Bremenit, Milot Rashica shpreson që me përfaqësuesen e Kosovës të kualifikohet në Kampionatin Evropian të futbollit, që mbahet vitin e ardhshëm, nëpërmjet plejofit.

Kosova do të luajë në gjysmëfinale të plejofit me Maqedoninë Veriore në qershor, ndërsa në rast të fitores, në finale do të takohet me fituesin e ndeshjes Bjellorusi – Gjeorgji.

“Nëse kualifikohemi do të kemi festë shtetërore”, ka thënë Rashica në një intervistë për “SID”, transmeton Koha.net.

Evropiani është shtyrë për një vit shkaku i koronavirusit.

Ai ka folur edhe për situatën në të cilën gjendet Werder Bremeni dhe po ashtu i ka dal në krah trajnerit Florian Kohfeldt. Werder Bremeni zë pozitën e 17-të në Bundesligë dhe po lufton për mbijetesë.

“Unë po e marr situatën aktuale shumë seriozisht dhe do të bëjmë çdo gjë, që të dalim nga kjo siotuatë”, ka thënë Rashica. “Trajneri po punon fortë që të dalim nga kjo situatë. Kjo krizë veçanërisht e godet trajnerin, pasi duhet të pranojë shumë kritika. Por, në këtë jemi të gjithë së bashku”.

Por, Rashica 23-vjeçar në të ardhmen e sheh veten te ndonjë gjigant i futbollit. Për të ka shprehur interesim gjiganti anglez Liverpool.

“Dikur dua të matem rregullisht me lojtarët më të mirë në botë dhe të luaj vit pas viti në Ligën e Kampionëve. Unë punoj fort për këtë dhe e di se mund t’ia dal”.