Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë shpalosjen e programit për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen me 17 tetor të këtij viti. Ai tregoi që Aleanca po paraqet sot para qytetarëve të vendit qëllimet programore për qeverisjen në komuna, për periudhën që vjen si dhe kandidatët për kryetarë të komunave.

Sipas kumtesës së AAK-së, Haradinaj tha se Aleanca do të garojë në të gjitha komunat e Kosovës.

“Ju siguroj që ne jemi fitues, nuk ka më fitues se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në Kosovë. Pse jemi fitues, sepse ne qëndruam çdo herë. Po e filloj para pluralizmit, periudhave të përpjekjeve për liri. Ne qëndruam, edhe atëherë kur plot të tjer nuk kanë mundur, ne qëndruam, por edhe fituam, fitoj Kosova, e fituam edhe lirinë”, tha Haradinaj para të pranishmëve.

“Ne qëndruam dhe besuam me rikthy jetën, dhe e rikthyem. Jemi të parët që u përballëm me sulmet mbi vlerat e lirisë. Ishim cak i goditjeve në vlerat sublime të lirisë, po ne qëndruam pa bërë zhurmë, por bindëm të gjithë sepse ishim në të drejtën tonë. Pastërtinë e luftës së UÇK-së, flijimin e familjes legjendare të komandantit Adem Jashari, të luftëtarëve të lirisë e ka pranuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, u shpreh tutje ai.

Të gjithë këtë rezistencë Haradinaj e ndërlidhi edhe me zgjedhjet komunale, ku tha që do të qëndrojmë me qytetarin në çdo rrethanë dhe kryetari do të jetë i qytetarëve pa dallim partie.

“E ne në këto rrethana qëndrojmë me qytetarin, ku ju premtojmë një jetë më të mirë dhe kryetari në komunë do të jetë i qytetarëve pa dallim partie”, tha Haradinaj.

“Kur qëndruam ne me taksën si dhe me të gjitha temat me të cilat fitoj Kosova, ne i morëm goditjet tjera, kurse të tjerët i mashtruan qytetarët”.

Ai më tej tha se Qeveria Kurti është Qeveri e mashtrimit.

“Zotëri Kurti, Qeveria e tij, është Qeveri mashtruese. Ai është një mashtrues. Këtë e kam thënë në Qeverinë e parë, që ai është mashtrues, shumë prej njerëzve nuk më kanë kuptuar drejt. Ai e ka udhëheq lëvizjen e vet. I ka premtu Kosovës vetëvendosje e jo negociata. Ai njeri u kthye në negociata pa e kthye taksën dhe reciprocitetin”, tregoi Haradinaj.

Në shpalosjen e programit për zgjedhjet lokale u prezantuan emrat e 13 kandidatëve për kryetar komunash, të miratuar nga Këshilli Drejtues i AAK-së.