Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në Kosovë nuk ka ardhur për t’iu dhënë leksione të tjerëve, por vetëm për mbështetje.

“Unë nuk erdha këtu për të bashkuar të gjithë partitë politike apo udhëheqësit e tyre në një tryezë sepse e para kjo nuk është detyra ime dhe e dyta ky do të ishte një kapërcim i kuadrit etik. Asnjëherë nuk kam menduar për këdo që duke e bërë rolin e kryeministrit është përpjekur t’ju tregoj të tjerëve në shtetin tjetër se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet ta bëjnë”, tha Rama, raporton KOHA.

Rama tha se “Shqipëria e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte”.

“Dhe cilido që është në rolin e kryetarit të qeverisë në Shqipëri duhet të jetë mishërim i këtij detyrimi por Shqipëria as nuk e ka e as nuk do ta marrë përsipër detyrën e kujdestarit apo të tutorit mendorit që nga lart i tregon udhëheqësisë në Kosovë se çfarë duhet të bëjë. Unë nuk erdha këtu për të realizuar bashkimin mes forcave politike si personi që kam detyrën dhe kapacitetin për ta bërë këtë por për të dëgjuar nga të gjithë opinionin e tyre këndvështrimin e tyre”, shtoi Rama.

Ai tha se “Jam shumë mirënjohës të gjithëve për mikpritjen për drejtëpërdrejtësinë e ndarjes së opinioneve dhe mund të ju them se pas 24 orësh di më shumë se që dija para 24 orësh lidhur me këtë çështje dhe me situatën”.

“Natyrisht që iu takon udhëheqësve të këtyre të marrin vendimet e tyre dhe të zhvilloj në proceset e nevojshme sipas tyre”, shtoi Rama.