Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka filluar takimet në teren me qytetarët e kryeqytetit.

“Misioni im për t’i dalë zot Prishtinës, ka filluar!”, ka shkruar Rama në Facebook në një adresim të gjatë për qytetarët e kryeqytetit.

Ai ka hedhur akuza ndaj qeverisjeve të kaluara.

“Prishtina është bërë simbol i kaosit urbanistik; nga objektet e egra, komunikacioni i dendur, gropat e thella e ndotja e ambientit. Qyteti jonë, sot, është tërësisht i ngulfatur”.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, thotë se nuk mund të injorohet stagnimi që po kalon Prishtina prej vitesh.

“Prishtina duhet të jetë qytet që ngërthen tradicionalen e modernen, natyrshëm. Qytet që u jep lumturi të moshuarve, rekreacion të rinjve dhe siguri prindërve. Të gjithë e duam një qytet me hapësira të mjaftueshme me gjelbërim, me vende ku nënat mund t’i shëtisin fëmijët e tyre pa brenga, ku të rinjtë bëjnë jetën, e ku më të moshuarit mund të kalojnë pasdite të qeta”.

Rama ka thënë se plani i tij dhe i LDK-së për Prishtinën do të përpilohet në bazë të kërkesave të qytetarëve.

“Për t’ia dalë mbanë në këtë rrugëtim, ndihma juaj është e domosdoshme. Unë do të jem në çdo lagje, në çdo cep të qytetit e në secilin fshat; do t’ua zgjas dorën në rrugë e do t’u trokas derë më derë në shtëpi; do të dëgjoj vëmendshëm e do të flas hapur”.

Ai ka thënë se fshatrat do ta kenë vëmendjen e kujdesin si asnjëherë më parë.

“Bashkë me ekipin tim dhe familjen e madhe të LDK-së, do të punojmë fort që Prishtina të jetë qyteti i të gjithëve. Kryeqytet i denjë i Republikës së Kosovës. Mbi të gjitha, që të jetë destinacioni më interesant në rajon për t’u vizituar nga turistët. Sepse Prishtina do të jetë metropol. Vendi që do t’i kënaqë të gjithë; ata që jetojnë këtu, ata që banojnë përkohësisht dhe ata që e vizitojnë, qoftë edhe veç një herë në jetë”, ka shkruar ndër të tjera Përparim Rama.