Në sheshet e Prishtinës qarkullim i qytetarëve është i madh, por që masat po respektohen. Vënia e maskave dhe respektimi i distancës janë obligative dhe ata të cilët i shkelin këto rregulla u shqiptohen gjoba deri në 35 euro.

Pas shtimit të numrit të të infektuarve me Coronavirus ditëve të fundit është paralajmëruar edhe kthimi i masave e deri te karantinimi i zonave të caktuara.

Përderisa qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online gjatë së enjtes janë kundër çdo mase të izolimit.

Haradin Haxha, ka thënë se shumica e qytetarëve po respektojnë masat prandaj ka theksuar se nuk e sheh të arsyeshme izolimin.

“Po sa po duket shumica e qytetarëve po i respektojnë, duke u nisur nga këshillat mjekësore dhe më mirë është që të respektohen sepse në rajon është duke u rritur numri”.

“Nuk e shoh të arsyeshme izolimin pasi që po na kushton në shkolla, në arsim, biznese. Më mirë është tu përmbahemi rregullave të kishallve mjekësore sesa të izolohemi. Jo nuk njoh që iu kanë shqiptuar masat”.

Ndërsa, Veli Ademi tha se nëse izolohemi do të pësojë më së shumti ekonomia.

“Kohëve të fundit më shumë po respektohen sepse është një frikë te një pjesë e popullatës që mund të infektohen, por duke i rrezikuar edhe familjarët. Prandaj po e shoh që gati se nuk sheh qytetarë pa maskë”.

“Mendoj që nëse izolohemi do të pësojë më shumë ekonomia. Firmat e vogla kanë pësuar shumë. Duhet të ketë kujdes sa i përket ekonomisë që të mos ndërkrehet. Tash është vështirë të dënohet dikush sepse nuk ka të ardhura dhe jemi në një gjendje më të vështirë dhe më të dobët ekonomikisht”.

Mirëpo Sadik Krasniqi, thotë se pandemia është më shumë çështje politike e cila e ka tronditur të gjithë botën.

“Tash ka ardhur një moment i vështirë saqë njerëzit me kalimin e kohës edhe nuk mund të përballojnë. Shumë e marrin si një sëmundje tjetër me maskë. Gjithçka është e mundshme sa i përket izolimit dhe e shoh që është më shumë çështje politike dhe e ka tronditur botën dhe zë vazhdon nuk e di askush”.

“35 është pak e madhe në krahasim me popullatën. Më dënuar dikë që nuk është as në punë është e tepërt. Ministria është dashtë me organizuar mi shit maskat me një çmim të volitshëm”.

Sipas Bajram Pllashniku, duhet të shqiptohen gjoba për ata që nuk respektojnë masat, raporton EO.

“Mendoj që është dashtë mi iu përmbajt rregullave. Është krejt gabim rasti i izolimit. Realisht duhet të shqiptohen gjoba për ata që nuk respektojnë masat”.