Disa pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, janë parë dje në fshatin Karaçevë të Kamenicës, gjë që ka shqetësuar banorët e asaj pjese.

Lidhur me këtë rast, ministri i Mbrojtjes Anton Quni ka thënë për Telegrafin se rasti është duke u hetuar nga ana e KFOR-it.

“Që nga momenti kur është njoftuar për lëvizjen e forcave serbe brenda territorit të Kosovës jam në kontakte të vazhdueshme me kryeministrin Hoti dhe komandantin e KFOR-it, Risi. Po ashtu kam biseduar edhe me kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati. Rasti është duke u hetuar nga KFOR-i dhe autoritetet vendore të sigurisë”, ka thënë Quni.

Quni më tej ka theksuar se nga ana e FSK-së janë duke u zbatuar veprimet e duhura, duke shtuar se së shpejti do të kemi raport të saktë lidhur me këtë ngjarje.

“Besoj se së shpejti do ta kemi raportin e saktë mbi natyrën dhe motivin e kësaj ngjarje. Nga ana e FSK-së janë duke u zbatuar veprimet e duhura nën drejtimin e komandantit të FSK-së, gjeneralit Rrahman Rama”, u shpreh Quni.

Lidhur me këtë rast ka pasur reagime të shumta nga pozita dhe opozita. Reagimi ka ardhur edhe nga kryeministri Avdullah Hoti i cili ka thënë se veprimet e tyre si Qeveri do të jenë në përputhje me Kushtetutën.