Në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Podujeva II” shpenzimet brenda muajit arrijnë shifrën deri në 1000 euro, derisa numri i pacientëve brenda ditës është një ose dy. Ka ditë që nuk shkon as edhe një paicent i vetëm.

Qendra e Mjekësisë Familjare “Podujeva II” i plotëson të gjitha kushtet që duhet t’i ketë një qendër e këtij lloji. Personeli punon me dy ndërrime, por numri i pacientëve që kontrollohen aty është jashtëzakonisht i vogël.

“Brenda ditës vijnë një ose dy paicentë. Ka ditë kur nuk vie asnjë. Qendra i plotëson të gjitha kushtet, por arsyen nuk e dim pse ata nuk vin këtu për kontroll. Shpenzimet e energjisë brenda muajit janë të mëdha, ato arrijnë shifrën deri në 1000 euro”, tregojnë punëtorët e kësaj qendre, të cilët nuk dëshiruan të identifikohen për shkak të rrezikut të humbjes së vendit të punës.

Zaim Thaçi, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Podujevë, fajson personelin punonjës për mungesë të pacientëve.

“Shtrirjen e ambulancave e bëjmë sipas shtrirjes së popullatës. Ajo qendër i mbulon të gjitha nevojat për pacientë. Tani aty ofrohen edhe shërbimet stomatologjike dhe laboratorike. Mendoj se arsyeja pse nuk ka pacientë është se personeli nuk është i intersuar të këtë pacientë” ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se duhet të bëhet një vlerësim i performancës së punonjësve, vlerësim i cili nuk është bërë në vitin 2014.

“Derisa ne e kemi një institucion që ofron shërbime shëndetësore jemi të obliguar të ofrojmë shërbime. Çështja që vin apo jo pacientët, ne duhet të bëjmë një vlerësim të performancës së punonjësve”, ka shtuar Thaçi.

Ai ka treguar se deri tani qytetarët nuk kanë bërë asnjë ankesë tek ne.

Ndërsa, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Podujevës, Agron Hyseni, ka thënë se nuk mund të dalim me një qëndrim për mungesë të pacientëve pa bërë disa analiza.

“Ne nuk mund të japim një qëndrim konkretë se pse pacientët nuk shkojnë në atë qendër për pa i bërë disa analiza. Nuk mendoj se faji është te personali punonjës, sepse stafi është shumë i kualifikuar”, ka thënë Hyseni.

Ai ka pranuar se shpenzimet janë të mëdha, por, të tilla shpenzime sipas tij bëhen edhe në qendrat tjera në Podujevë./llapi.info

44

22

55