Qeveria e Albin Kurti po planifikon shkarkimin edhe të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Në kuadër të shkarkimeve dhe kapjes së institucioneve nga qeveria “Kurti” tashmë është hartuar deri në detaje edhe plani për shkarkimin e kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezit dhe zgjedhjen e një kryeprokurorit të ri, i cili do të jetë i përshtatshëm për pushtetin e ri.

Burimet e Gazetës Insajderi kanë zbuluar se tashmë shumica e anëtarëve të Këshillit Prokurorial janë rreshtuar në krahë të qeverisë “Kurti”, përkatësisht të ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut, për të pasur vota të mjaftueshme për shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi.

E gjithë kjo iniciativë rrjedh prej arrestimit të Lavdim Krasniqit, ish-drejtor i Këshillit Prokurorial, i cili është arrestuar për korrupsion muaj më parë. Ai është familjar i bashkëshortit të Albulena Haxhiut, Alban Krasniqi.

Këto kombinime pritet që në ditët ose javët në vazhdim të iniciohet shkarkimi i kryeprokurorit të Shtetit, siç ka ndodhur me shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka dhe siç po pritet shkarkimi i avokatit të Popullit, Naim Qelaj, i cili pritej që të dërgonte rastin e Dakës në Gjykatën Kushtetuese.

Shkarkimi i Lumezit do të jetë njëra prej akteve më të rënda të qeverisë “Kurti” për kapjen e gjithë shtetit, duke përfshirë sistemin e drejtësisë.

Këto burime i kanë treguar Gazetës se pjesa më e madhe e anëtarëve të Këshillit Prokurorial kanë pasur takime të fshehta me drejtues të qeverisë të Vetëvendosjes, për ta realizuar shkarkimin e kryeprokurorit.

Për të gjitha këto zhvillime tashmë janë të njoftuar edhe shtetet anëtare të QUINT-it në Kosovë.

Dy vjet më parë Kurti dhe partia e tij po bënin një fushatë të egër ndaj Aleksander Lumezit, duke premtuar se pasi të vijnë në pushtet do të punojnë për shkarkimin e tij.

Madje, vetë kryeministri pati deklaruar se në momentin kur të vijë në pushtet, do të shkojë Aleksandër Lumezi, ndërsa në vend të tij do të vijë Elez Blakaj.

“Le të ecë Lumezi që të kthehet Elezi”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, sot gazeta ka raportuar se qeveria e Kurtit pritet ta iniciojnë procesin e shkarkimit edhe ndaj avokatit të Popullit, Naim Qelaj. Arsye pse pritet ta bëjnë një gjë të tillë është mundësia që ai ta dërgojë rastin e Valdete Dakes në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit u shkarkua nga presidentja, Vjosa Osmani.