Qeveria Kurti ka paraparë që 192 ligje t’i procedojë para ligjvënësve sivjet.

Për secilin muaj në vijim, pa përfshirë korrikun e pushimit, pritet që Kuvendi të merret me 38 ligje mesatarisht.

Por, nga monitoruesja e punës së Kuvendit nga KDI, Agnesa Haxhiu, po shihet si vështirë e realizueshme e gjithë kjo ambicie e Qeverisë.

Sipas saj, në procedurë të rregullt një projektligji deri në publikim në Gazetën Zyrtare i duhen rreth 90 ditë kohë e punë.

Por, deputetët shumicë besojnë se do ia dalin ta realizojnë agjendën e Qeverisë.

Kjo, meqë sipas deputetit Eman Rrahmani, votat për t’i votuar të njëjtat i kanë. Bile sipas tij, shumica nga ligjet e parapara tashmë janë punuar nga legjislaturat e kaluara, për çka është më e lehtë për t’i proceduar tutje ato.

Në Qeverinë Kurti 1, nuk kishte fare agjendë për shkak të kohës së shkurtër në pushtet. Derisa Qeveria Hoti, për 9 muaj në pushtet miratoi vetëm 17 ligje prej 129 sa i kishte parapa.