Kosova do ta ndërtojë autostradën 28 km nga fshati Besi e deri në Merdar, pikëkalim kufitar ky me Serbinë.

Kështu kanë bërë të ditur për Front Online nga Ministria e Infrastrukturës, që tash udhëhiqet nga Liburn Aliu i VV-së, partisë në pushtet.

Nga ky dikaster qeveritar projektin, që thonë se e kap shifrën e mbi 200 milionë eurove, e lidhin me realizimin e autostradës Durrës – Morinë- Prishtinë-Merdare-Nish e që është pjesë e rrjetit Bazik të Transportit në kuadër të Rrjetit Trans-Europian të Transportit.

“Pas përfundimit te Studimit te Fizibilitetit dhe Ndikimit ne Mjedis, për segmentin e Autostradës Besi – Merdare ka përfunduar projekti preliminar i projektuar sipas Standardeve TEM, me shpejtësi projektuese prej 120km/h, në gjatësi prej 28.6 Km”, thuhet në përgjigjen e MI-së për Front Online.

Investim për këtë auto-udhë pati premtuar edhe Amerika, meqë ajo përfshihej në njërën prej 16 pikave të marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington, për të cilat u dakorduan Kosova e Serbia.

Atë planifikohej ta financonte DFC-ja, një bankë e Amerikës e cila bashkëpunon me sektorin privat duke financuar zgjidhjet e sfidave më kritike me të cilat përballet bota në zhvillim.

Nga Ministria e Infrastrukturës kanë bërë të ditur se është dorëzuar aplikacioni për financim të autostradës në kuadër të WBIF-it, një strukturë rajonale që mbështet zgjerimin e BE dhe zhvillimin socio-ekonomik në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë Veriore dhe Serbi.

Të njëtjtit kanë përmendur bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare rreth këtij projekti, por pa u lëshuar në emra.

“Duke pasur parasysh që ky është projekt prioritar për vitin 2021 është dorëzuar Aplikacioni per financim ne kuadër të WBIF-it, planifikohet që në bashkëpunim me Institucionet Financiare Nderkombetare te caktohen afatet e fillimit te realizimit dhe financimit të këtij projekti”, thuhet në përgjigjen e MI-së për Front Online.

Ndërtimi i këtij segmenti të autostradës 28 km është përfshirë nga Qeveria edhe në programin e saj qeveritar 2021 – 2025.

Karakteristikat e autostradës
Projekti multi-milionësh përfshin:

• 28 km Autostradë sipas Standardeve TEM, shpejtësi projektuese 120 km/h.
• 3 Nyje (Udhëkryqe) ;
• 4 Viadukte , me një gjatësi totale prej 1,150m;
• 35 Struktura (ura ,nënkalime dhe mbikalime me rrjetin rrugor lokal).
• Një shesh të Pagesave.
Nyjet (Udhëkryqet) sigurojnë lidhje me rrugët:
• M25 në Trudë, ku ka lidhje me rrugën ekzistuese;
• R126, duke siguruar qasje në Podujevë (Besiana) dhe Batllavë
• M25, duke siguruar qasje në pjesën lindore të Podujevës (Besianës) dhe lidhje me kalimin kufitar në Merdare.

Shumë para e përfitime
Në ministri shumën prej 200 milionë eurove sa pritet të kushtojë ndërtimi i autostradës sikur e arsyetojnë me përfitimet që do t`i sjell ajo.

• Autostrada e re do të ofrojë rritje të kapacitetit rrugor në korridor, duke shërbyer një trafik të parashikuar prej 19,000 automjeteve në ditë në vitin 2045, nga të cilat 25% trafik ndërkombëtar për pasagjerët dhe mallëra,

• Kohëzgjatja e udhëtimit midis Prishtinës dhe Merdares pritet të zvogëlohet, duke rezultuar në 30% të kursimit të kohës së udhëtimit,
• Rruga ekzistuese (M25) do të vazhdojë të shërbejë në trafikun lokal të krijuar nga komunitetet e vendosura përgjatë saj, pa e penguar zhvillimin e tyre për shkak të trafikut, pasi trafiku transit do të devijohet në autostradën e re,

• Reduktimi i ndikimeve mjedisore në të njëjtat komunitete për shkak të largimit të trafikut të udhëtimit dhe tranzitit në autostradën e re,

• Do të rrisë sigurinë rrugore për të gjithë shfrytëzuesit në M25 dhe autostradë,

•Kostoja e përafërt e projektit është 210 milionë Euro.