Qeveria fokusohet në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Trepçës

Qeveria fokusohet në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Trepçës

Qeveria e Kosovës sapo mori vendim për sigurimin e buxhetit për angazhimin e ekspertëve për studime rasti lidhur me përvojat ndërkombëtare në rastet e ngjashme me ndërmarrjen Trepça, ndërsa ka paralajmëruar strategji dhe ligj për këtë gjigant të ekonomisë kosovare.

Krahas reformave substanciale që ka bërë, qeveria e Kosovës ka theksuar se tani do të fokusohet në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së asetit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës, Trepçës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë ka marr vendim për ndarjen e 15 mijë eurove për angazhimin e ekspertëve lidhur me studimet e reja që do të bëhen në ndërmarrjen “Trepça” .

Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se është e nevojshme një gjë e tillë dhe se ekipi që do të angazhohet do të kryej studimet e duhura.

Qeveria Mustafa është zotuar se prioritet është ekonomia dhe rikapitalizimi i Trepçës.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 73-të, të gjashtën në vitin 2016, të cilin e nisi me dy mbledhje brenda ditës së 8 janarit. Në mbledhjen e kaluar, në 29 janar, Qeveria ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e tetëvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në 17 shkurt.

Mbledhja mbahet një ditë pas miratimit nga Parlamenti Evropian të Rezolutës për Kosovën, e cila, siç thekson deklarata përshëndetëse e qeverisë, përmban kërkesa të qarta për avancimin dhe shpejtimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës.

Qeveria e Kosovës falënderon Parlamentin Evropian për vlerësimin pozitiv lidhur me progresin në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, duke apeluar që të bëhen veprimet e nevojshme në mënyrë që kosovarët të udhëtojnë pa viza gjatë vitit 2016.

Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron hap shumë të rëndësishëm gatishmërinë e Parlamentit Evropian për të dhënë pëlqimin pas rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, si dhe ftesën drejtuar Komisionit Evropian që të ndërmarrë një hap të tillë sa më shpejtë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur mirënjohje të posaçme për përkrahjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke pas parasysh edhe faktin se në këtë rezolutë është përsëritur thirrja e europarlamentarëve për pesë shtetet e mbetura të BE-së që të njohin Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.