Qëndrim Gashi është raportuar se është në mesin e 12 ambasadorëve të liruar nga detyra nga Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Por vet Gashi, ka thënë se kjo është bërë pas kërkesës së tij të bërë në fund të vitit të kaluar.

“Pas kërkesës sime të bërë në dhjetor të vitit të kaluar, sot kam pranuar dekretin e Presidentes për mbarimin e misionit tim në Paris”, është shprehur ai.

“T’i shërbesh vendit si ambasador është privilegj. T’i shërbesh vendit me përkushtim, është obligim. Përfaqësimi i Kosovës në Francë, si dhe në Andorë e Monako, e për një kohë edhe në Portugali, ka qenë nder i jashtëzakonshëm për mua. Gjatë kësaj periudhe i kam mbrojtur interesat e vendit tonë dhe jam përpjekur t’i avancoj raportet e shkëlqyeshme me shtetet ku kam qenë i akredituar, në veçanti me Francën. Raporti ynë me Francën është esencial për të ardhmen tonë evropiane”.

“Më lejoni ta shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj për bashkëpunim dhe përkrahje të gjithë liderët institucionalë shtetërorë nga viti 2016 e deri tash, duke filluar nga ish-presidentja Jahjaga e cila në vitin 2015 e mori nismën për të më emëruar. Deri në përfundimin zyrtar të misionit tim, do të vazhdoj ta kryej punën me përkushtim të plotë”.