Që të mos vidhen votat, të numërohen në vendvotim

Që të mos vidhen votat, të numërohen në vendvotim

Shkruan: Gani Mehmeti

Vetë grumbullimi i votave në një vend, në qendër të KQZ, jep mundësinë e vjedhjes së votave. Pra, që të mos vidhen ato, do të duhej të numëroheshin në vendvotim, aty ku votohet, fill pas përfundimit të votimit. Kështu është vepruar disa herë , kur nuk vidheshin votat. Materiali votues përcillej me një procesverbal nga të gjitha partitë, komisioni dhe vëzhguesit për më tutje dhe nuk kishte nevojë më të numëroheshin, sepse në vendvotime askush nuk lejon keqpërdorimin e votes së partisë dhe të kandidatëve të vet.


Grumbullimi i të gjitha votiave në KQZ nuk është asgjë tjetër, përveç se mosbesim, dyshim dhe mundësi për vjedhje, qoftë nga numëruesit, qoftë nga KQZ, qoftë nga ndërhyrjet e partive politike, po edhe nga ndërkombëtarët.


Pra, që të hiqet çdo dyshim i vjedhjes së votës pas votimit, do të duhej të bëhej numërimi në çdo vendvotim. Secili vendvotim do ia dërgonte procesverbalin Aktivit, Aktivi Nëndegës, Nëndega Degës e Dega Qendrës së partisë së vet. Kështu edhe rezultatet do të ishin shumë të shpejta, nuk do të kalonin më shumë se dy orë, dhe rezultati do të ishte i gatshëm.


KQZ, për të verifikuar rezultatin, le të numërojë pastaj sa herë të dojë për vete, jo për tjerët.
E di se kështu ka qenë me rastin e Referendumit të Kosovës në shtator të vitit 1991, po kështu ka qenë edhe me zgjedhjet e para parlamentare pas luftës.
E di, se, kjo që po e them unë, dikujt nuk i shkon përshtati, po kjo kështu do duhej të ishte.