Kompania e kontraktuar për kryerjen e punimeve në zgjerimin e rrugës Nacionale Podujevë-Prishtinë (segmenti rrugor Besi-Podujevë Lot 5), AL-TRADE SH.P.K. njofton se punimet në realizimin e projektit janë duke u zhvilluar sipas dinamikës, njofton Komuna e Podujevës, transmeton Llapi.info.

Sipas kësaj kumtese “kompania njofton qytetarët e Komunës së Podujevës se në kuadër të rrjedhës së punimeve kanë ardhur në fazën e largimit të shtresës ekzistuese të asfaltit në segmentin e parë rrugor nga fshati Gllamnik deri në hyrjen e parë në qytetin e Podujevës”

“Ekzekutimi i punimeve në largimin e shtresës së asfaltit është planifikuar të fillojë më 24.03.2017 (e premte) nga ora 08:00 dhe do të vazhdojë çdo ditë pune deri në shtruarjen e shtresave të reja të asfaltit” thuhet ndër të tjera në njoftimin e Komunës.

Kompania punëkryerëse kërkon nga banorët dhe pjesëmarrësit në komunikacion që t’i përcjellin shenjat orientuese si dhe të kenë kujdes dhe t’ia përshtatin shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve kushteve ekzistuese, pasi që komunikacioni do të zhvillohet në pjesën e zgjeruar me zhavorr./Llapi.info