Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” do të nisë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, njofton Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Procesi është në fazën finale të përzgjedhjes së kompanisë për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Termocentralit.

Kreu i MZHE-së, Valmir Lluka, ka thënë se Kosova nuk do të varet nga importet e energjisë elektrike.

“Nuk do ta lejoj që Kosova të varet nga importet e energjisë. Strategji e vendit është që rritja ekonomike dhe punësimi të ndodhin në vend duke shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshme vendore për gjenerim të energji jo vetëm për nevoja tona, por edhe për eksport. Ne duhet të sigurojmë pavarësi energjetike dhe nuk ka alternativë tjetër, ashtu siç nuk kemi alternativa të tjera për gjenerim të energjisë elektrike”.

TC “Kosova e Re” është projekti për të cilin janë bërë më së shumti studime dhe secili opsion është nxjerrë ky termocentral si zgjidhje e domosdoshme.

“Kosova, si shumë palë tjera kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, ka orientuar politikat e veta afatmesme të sigurimit të furnizimit me energji në rezervat e linjitit. Të njëjtin orientim e kanë edhe vende tjera të Bashkimit Evropian. Termocentrale të tilla me kapacitete edhe më të mëdha se Kosova e Re sot operojnë, apo edhe janë në fazë të projektimit ose ndërtimit në shumë vende të BE-së, siç është Gjermania, Çekia, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Polonia, Rumania, Bullgaria etj. Edhe fqinjët tanë, Serbia Mali i Zi, dhe Bosnje e Hercegovinën, po ndërtojnë termocentrale nga linjiti”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Investitori Contour Global ka njoftuar Qeverinë e Kosovës, se është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga institucionet financiare ndërkombëtare.