Punëtorët teknik të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) të mërkurën kanë protestuar duke kërkuar që të përfshihen në listat e shtesave prej 300 euro të ndara nga Qeveria e Kosovës, për rrezikshmëri në punë gjatë kohës së pandemisë.

Në protestë kanë marrë pjesë punëtorë nga administrata, recepsionistët, vozitësit e autoambulancave, sigurimit, shërbyesit e ushqimit, punëtorët e oksigjenit, shërbimeve teknike, si dhe ata të pastrimit.

Nezir Sopi, vozitës i autoambulancës së Qendrës Emergjente, i cili ditën e mërkurë po protestonte në shenjë pakënaqësie që nuk është përfshirë në Pakon Emergjente, tha se të gjithë vozitësit kanë bartur me qindra pacientë me COVID-19, duke shërbyer për klinikat brenda Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“I kemi të evidentuar gjithë pacientët me emër e mbiemër, dhe janë argument që kemi vozitur natë e ditë qindra pacientë me COVID-19”, tha ai.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se do të shqyrtohen gjitha mundësitë, së bashku me Qeverinë e Kosovës, që të gjithë punëtorët e stafit mbështetës, të përfshihen në pakon emergjente, meqë puna gjatë gjithë pandemisë me COVID-19, ka qenë e përbashkët.

“Menaxhimi i pandemisë është bërë falë bashkëpunimit të mirë të të gjithë sektorëve të njësive të SHSKUK-së edhe të punëtorëve shëndetësorë, por edhe të stafit mbështetës. Si menaxhment kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që të gjithë punëtorët të përfshihen në këtë skemë të përfitimit. Jemi në bashkëbisedim me Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë që do të shqyrtohen gjitha mundësitë që të gjithë punonjësit e SHSKUK-së të përfshihen në këtë pagesë shtesë prej 300 eurosh’’, tha Krasniqi.

Kosova po zbaton Pakon emergjente fiskale, në vlerë të rreth 180 milionë eurove. Kjo pako, e cila kishte për qëllim të zbuste problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus.