Lionel Messi vazhdon të dominojë në botën e futbollit, madje edhe në aspektin financiar. Argjentinasi u rendit si futbollisti më i paguar në botë nga Forbes, ndërsa Cristiano Ronaldo vjen menjëherë pas tij.

Kompanitë e mëdha i bëjnë oferta të jashtëzakonshme dyshes Lionel Messi – Cristiano Ronaldo për t’ua reklamuar produktet. Gjatë vitit të kaluar, Messi ka punuar me Adidasin, Mastercard dhe PepsiCo, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, pjesa tjetër e listës me top 20 futbollistët më të paguar në botë ka ngjallur mjaft shumë debat në mesin e tifozëve të futbollit. Messi dhe Ronaldo ndiqen nga Neymari, Paul Pogba dhe Andres Iniesta. Ky i fundit po shkëlqen në Japoni, pasi e mbylli karrierën me Barcelonën.

Alexis Sanchez, Kylian Mbappe, Mesut Ozil, Oscar dhe Antoine Griezmann gjithashtu marrin pjesë në top dhjetëshe.

Oscar dhe Graziano Pelle janë të vetmit futbollistë, përveç Iniestas, që luajnë jashtë top ligave evropiane dhe përfshihen në këtë listë.

Ish-mesfushori i Chelseat e shkëmbeu Premierligës, titullin e së cilës e fitoi dy herë në karrierë, për një ofertë nga Shanghai SIPG. Përkundër që ai sponsorizohet edhe nga Adidasi, 27 prej 29 milionë eurove të tij vijnë nga paga prej klubit.

Ndërsa, ish-sulmuesi i Southamptonit, Pelle, do ta vazhdojë karrierën në Super Ligën Kineze pasi që e rinovoi kontratën e tij në janar, kur e nënshkroi ofertën prej 20.7 milionë dollarëve në vit.

Ajo që bie në sy është se shumë prej futbollistëve të përfshirë në këtë listë nuk kanë zhvilluar shumë ndeshje gjatë këtij sezoni. Neymari i Paris Saint-Germainit luajti në vetëm 16 ndeshje, ndërsa Alexis Sanchezi i Manchester Unitedit luajti në vetëm nëntë ndeshje të Premierligës.