Policia në Obiliq ka arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se kanë vjedhur pajisje teknologjike në fshatin Dobratin të Podujevës, raporton Llapi.info.

Sipas Policisë së Kosovës, vlera e vjedhjeve të këtyre pajisjeve është dhjetëra mijëra eurove, ndërkohë që të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

“Prishtinë, 07 korrik 2021 Policia e rajonit të Prishtinës respektivisht hetuesit e stacionit policor të Obiliqit, dje kanë arrestuar dy persona lidhur me vjedhjen e pajisjeve të teknologjisë informative në fshatin Dobratin të komunës së Podujevës. Rasti është denoncuar në polici më datë 06.07.2021 nga ana e ankuesit ku sipas tij dyshohej që më datë 05.07.2021, ishin vjedhur pajisje të teknologjisë në vlerë dhjetëra mijëra euro. Policia menjëherë pas denoncimit, kishte nisur një hetim për ndriçimin e rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve”, thuhet në komunikatën e PK-së.

“Progresi i hetimit të rastit pati për rrjedhoje organizimin e një operacioni bastisjeje në dy lokacione të ndryshme si dhe ndalimin e një automjeti të dyshuar që rezultoi me identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarve si dhe sekuestrimin e gjësendeve që dyshohet të jenë vjedhur në rastin në fjalë. Ndërkohë që të dyshuarit janë arrestuar, me rekomandimin e prokurorit të shtetit të njëjtit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, duke u proceduar më tutje në fazat e mëtejme të hetimit të këtij rasti”, thuhet tutje./Llapi.info

May be an image of outdoors
No photo description available.