Kylian Mbappe është padyshim njëri nga futbollistët më të mirë në botë dhe njëkohësisht më i kërkuari nga skuadrat e mëdha.

Sulmuesi i talentuar francez iu bashkua parisienëve në verën e vitit 2017 nga Monaco për një shumë prej rreth 180 milionë euro.

Megjithatë Mbappe tani është duke u kërkuar nga skuadrat më të mëdha në Evropë isi Real Madrid, Barcelona, Chelsea, Liverpool apo Juventus.

Kontrata aktuale e Mbappes me parisienët skadon në verën e vitit 2022 dhe kampioni në fuqi i Francës po synon që t’ia vazhdoj kontratën.

L’Equipe ka raportuar se ditëve të fundit drejtori sportiv i PSG-së, braziliani Leonardo ka pasur një takim me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij.

Klubi i ka bërë të qartë Mbappes se është gati t’i plotësojë të gjitha kërkesat vetëm e vetëm të nënshkruajë kontratë të re deri në verën e vitit 2025.

Por përgjigja e Mbappes ka qenë se nuk duhet të nxitojë për një gjë të tillë.

Gjithnjë sipas L’Equipe reprezentuesi francez ka plane tjera dhe synimi i tij është të largohet në verën e vitit 2021 nga Parc de Princes.

Destinacioni më i mundshëm për lojtarin është Madridi, pasi Real Madrid mbetet skuadra e preferuar e 21-vjeçarit.