Xherdan Shaqiri me Liverpoolin do të ndeshet me Crvena Zvezdën në Ligën e Kampionëve.

Xherdan Shaqiri ishte në qendër të polemikave gjatë Kupës së Botës së kësaj vere, pas festimit me “shqiponjë” të golit të tij kundër Serbisë, një referencë për shqiponjën dykrenare në flamurin e Shqipërisë. Ky festim u interpretua si një veprim provokativ politik nga ana e serbëve.

Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, ku Shaqiri ka lindur, mbeten të larta dhe ndërkombëtari zviceran rrezikoi një pezullim për shkak të mënyrës së festimit të tij. Te Liverpooli, që është shortuar në Grupin C të Championsit, bashkë me skuadrën serbe Crvena Zvezda, pyetjet mbeten në lidhje rrezikshmërinë që paraqet udhëtimi i tij për në Serbi.

Pas shënimit të golit të fitores kundër Serbisë (për Zvicrën), në Grupin E të Kupës së Botës në Rusi, 26-vjeçari i kryqëzoi duart për të formuar shqiponjën, duke iu referuar simbolit të flamurit kombëtar të Shqipërisë.

Shaqiri ka lindur në Kosovë, një shtet që e ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, megjithëse kjo e fundit nuk e njeh. Për këtë arsye, festimi i Shaqirit kishte pasoja politike të diskutueshme, jashtë fushe.

Shenja e “shqiponjës” u konsiderua një aluzion ndaj dështimit të Serbisë për të njohur vendlindjen e tij si shtet i pavarur dhe u interpretua si një deklaratë e hapur politike. Pavarësisht se Kosova është njohur si një shtet i pavarur nga UEFA dhe FIFA, Serbia ende refuzon ta shohë atë si të tillë, çka do të thotë se marrëdhëniet mbeten të tensionuara.

Shaqiri, gjithashtu, mbante këpucë sporti gjatë Kupës së Botës, ku dukeshin qartë flamuri zviceran dhe kosovar. Bashkëkombësi i Shaqirit te Zvicra, Granit Xhaka, gjithashtu festoi me “shqiponjë”, pasi barazoi rezultatin kundër Serbisë me një goditje predhë nga distanca. Mesfushori i Arsenalit ka lindur nga prindër shqiptarë nga Kosova, ndërsa babai i tij ishte i burgosur politik, pas demonstratave studentore të vitit 1986 në ish-Jugosllavi, kundër qeverisë komuniste në Beograd, transmeton “SS”.

Përveç kësaj, vëllai i Xhakës, Taulanti, luan për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Kapiteni i Zvicrës, Stephan Lichsteiner, u doli në mbrojtje Shaqirit dhe Xhakës, edhe pse trajneri Vladimir Petkoviç tha se gjeste të tilla ishin të papërshtatshme për fushën e futbollit.

“Ju kurrë nuk duhet të përzieni politikën me futbollin, – tha Petkoviç. – Është mirë të jesh një tifoz, është e rëndësishme të tregosh respekt. Atmosfera e mrekullueshme dhe emocionet pozitive duhet të mbizotërojnë në futboll.

Ky nuk është vetëm mendimi im, por i të gjithë federatës dhe ekipeve në mbarë botën. Duhet ta ndajmë bashkarisht këtë mendim, sepse kjo është diçka, për të cilën nuk kemi nevojë këtu. Unë mendoj se nuk duhet të flasim aq shumë, por të tregojmë veten me futboll në fushë”.

Serbia kërkoi pezullimin e dy futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, por FIFA, megjithatë, konfirmoi përmes një deklarate pas ndeshjes se ka gjobitur Shaqirin dhe Xhakën me nga 10 mijë franga zvicerane, ndërsa Lichsteiner me 5 mijë franga zvicerane. Të tre lojtarëve iu dhanë paralajmërime për “shkelje të kodit disiplinor të FIFA-s, për sjellje josportive dhe në kundërshtim me parimet e lojës së drejtë”.

Liverpooli ka rënë në një grup me skuadrën serbe të Crvena Zvezda në Ligën e Kampionëve, kështu që Shaqirit do t’i rezervohej një pritje armiqësore në Beoagrad, nëse ai do të përfshihet në ndeshjen e 6 nëntorit. Megjithatë, Liverpooli mund të tregojë kujdes dhe të vendosë kundër grumbullimit të tij në skuadrën që do të udhëtojë drejt Serbisë, pasi tensioni politik dhe pritja potencialisht e rënduar mund të jenë shumë të diskutueshme.

Drejtori sportiv i Crvena Zvezdas, Zvezdan Terziç, zbuloi se klubi i tij do të bëjë detyrën për të mbrojtur Shaqirin, së bashku me Liverpoolin, megjithëse theksoi ndikimin e situatës.
“Unë mendoj se Shaqiri do t’i nënshtrohet presionit të jashtëzakonshëm psikologjik, – tha Terziç për gazetën serbe “Kurir”. – Ai e di se ku do të shkojë. E di mirë se klubi ynë është një simbol i Serbisë.”

Nuk e di nëse ai do të jetë i gatshëm të luajë në Serbi, në këto kushte, kështu që dyshoj se do të vijë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që Shaqiri të ndihet i sigurt për të luajtur futboll, është detyra jonë ta mbrojmë atë”.

Ndonëse Xhaka kërkoi falje për festimin me “shqiponjë”, Shaqiri mbeti disi i patundur nga kjo gjë. “Sigurisht, kërkoj falje nëse njerëzit ndihen të sulmuar në Zvicër, – tha Shaqiri. – Dikujt, nuk e di, ndoshta në male, ku dikush e ndiqte lojën dhe shqetësohej, me siguri do t’i kërkoj falje”