Zgjedhjet e LDK’së në degë dhe madje edhe në nëndegë po zhvillohen me mosmarrëveshje dhe përplasje që po marrin vëmendje dhe po raportohen në media.

Kryetari i zgjedhur i nëndegës së LDK’së në lagjen, Mati 1, Avdi Pireva, ka folur në Frontal rreth përplasjeve të anëtarëve të kësaj partie në nëndegën në fjalë.

Dje është raportuar për përplasje në Kuvendin Zgjedhor ku kanë qenë të pranishëm edhe deputeti Arban Abrashi dhe anëtari i kryesisë së LDK’së, Skender Hyseni. Sipas këtyre raportimeve, anëtarët janë ndarë në dy grupe.

Pireva thotë se ai vetë është angazhuar për katër vjet në këtë nëndegë, ndërsa anëtarët që janë ankuar se u është pamundërsuar kandidimi, ai thotë se askujt nuk i është fshehur mbajtja e kuvendit zgjedhor.

“Nuk ka pasur rrahje, Askush s’e ka prekur askënd me dorë. Prandaj unë jam kujdesur të mos ketë asnjë incident. Në parti duhet të angazhohen për katër vjet, e jo vetëm kur ka parti”, ka thënë Pireva në Frontal.

Në emision janë ankuar se nga 11 anëtarët e kryesisë, 6 prej tyre nuk janë njoftuar se po mbahet ky kuvend zgjedhor.

Por, pse është e rëndësishme të bëhesh kryetar i një nëndege të LDK’së?

Pireva thotë se s’ka asnjë përfitim nga kjo zgjedhje por “këshilli iniciativ më ka lutur vetë që të bëhem sepse është nëndega e re dhe duan që të mbahet një stabilitet”

“Nuk kam asnjë privilegj e asnjë përfitim”, thotë ai.