Dardan Molliqaj e ka pritur para zyrës së partisë për ta uruar Ramush Haradinajn, i cili hyri në koalicion parazgjedhor me PSD-në. Molliqaj ia ka shtrënguar dorën dhe do të bëjë fushatë që të zgjidhet kryeministër, ai të cilin e pati quajtur njeri të “haraçit dhe të fajdeve”.

“…Është subjekti politik (AAK v.j.), i cili të paktën në komunat që qeveris në Dukagjin i qet çdo qytetari dhe çdo biznesi haraç, është subjekti i cili është i lidhur drejtpërdrejt me fajdetë, të cilat u jepen qytetarëve edhe e rrezikojnë jetën e tyre në Dukagjin, dhe është subjekti i cili që nga kryetari e teposhtë kanë me miliona pasuri, që asnjëherë nuk kanë pasur guximin dhe mundësinë për ta deklaruar se cila është prejardhja e kësaj pasurie”, pati thënë Molliqaj për AAK-në, në kohën kur ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai kishte vazhduar me akuza ndaj Haradinajt edhe sa ishin pjesë e opozitës në vitin 2016.

Molliqaj pati deklaruar se Haradinaj nuk mund t’i prijë listës së opozitës të quajtur Alternativa, “pasi nuk ka pastërtinë e as diturinë për ta rrëzuar regjimin”, siç e kualifikonte ai koalicionin PDK-LDK.

Kjo deklaratë pati nxitur reagimin e njërit prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Haradinajt- Avni Arifi, i cili thoshte se, “Partia e Ramush Haradinajt nuk do të jetë kurrë argat i Dardan Molliqajt”.

Pas marrëveshjes deputeti i PSD-së është deklaruar nëpërmjet Facebookut duke thënë se krijuan koalicionin e ndryshimit që fitoren e ka të sigurt.

“Koalicionin që do të qeverisë dhe Kosovën do t’i pozicionojnë fuqishëm përballë Serbisë, përballë krimit e korrupsionit dhe përballë varfërisë e pabarazisë. Koalicion nëpërmjet të cilit ne do t’i shtyjmë edhe më tej këto politika. Bashkimi ynë i sotëm është veç fillimi i fitores së madhe”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

E kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, në konferencën e përbashkët me Haradinajn pas nënshkrimit të marrëveshjes i ka quajtur “të tejkaluara” deklaratat e dikurshme të bashkëpartiakëve së tij, teksa ka thënë se tani janë pjekur politikisht.

“Pas asaj deklarate ka ndodhur edhe LAN-i dhe VLAN-i dhe kjo pyetje i bëhet gjithmonë edhe Molliqajt. Mendoj se ka kaluar shumë kohë prej asaj deklarate, jemi pjekur shumë edhe si subjekte politike, kemi vazhduar të diskutojmë, ka pika që nuk pajtohemi, por që definitivisht nuk lidhen me ato deklarata”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, me AAK-në u bashkuan për t’i fituar zgjedhjet. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)