Vetëvendosje organizon të premten tryezën e rradhës me partitë politike.

Ashtu siç edhe u bë e ditur gjatë ditës së djeshme, të ftuara në këtë tryezë sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes do të jenë të gjitha partitë të cilat e njohin shtetin e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Mirëpo një ftesë të tillë ende nuk e kanë marrë Partia Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit.

Gjatë ditës së djeshme, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi për lajmi.net se nuk kanë marrë ftesë për këtë tryezë, mirëpo nuk dihet ende se a do të marrin pjesë ose jo.

“Ne ende s’kemi pranuar ftesën zyrtare, andaj s’mund te përgjigjem me saktësi se si do të veprojmë”, deklaroi dje Krasniqi.

E ftesë nuk ka marrë ende as partia e Shpend Ahmetit, Partia Socialdemokrate.

Shkodran Hoti, zëdhënës i kësaj partie, tha sot për lajmi.net se ende nuk kanë pranuar ftesën, dhe në momentin që të marrin një të tillë, do të shqyrtojnë dhe do të marrin vendim.

“Ende nuk kemi pranuar ftesë zyrtare, jemi në pritje të kësaj ftese, do ta shqyrtojmë brenda organeve të partisë dhe do të dalim me një qëndrim zyrtar”, bëri të ditur Hoti.

Ndryshe, tryeza e rradhës e Vetëvendosjes e cila mbahet gjatë ditës së enjte qëllim të vetëm të vënë nga ky subjekt e ka arritjen e një konsensusi për zgjedhje të parakohshme.