Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, 1 Maji është shënuar duke marshuar në rrugët e Prishtinës me moton “Punëtore e punëtorë të bashkuar kundër shtypjes”.

Protestuesit kërkuan drejtësi, barazi dhe solidaritet për gjithë punëtorët. Derisa përfaqësues të sindikatave që morën pjesë në këtë marsh kërkuan trajtim më të mirë të punëtorëve dhe ngritje të pagës minimale.

Nënkryetari i Sindikatës së Koorporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, para protestuesve tha se Kosova është një nga shtetet më të varfra në rajon si dhe punëtorët e sektorit privat janë më të shtypurit.

Sipas tij, shtypja e punëtorëve nga ana e punëdhënësit është duke ndodhur që nga pas lufta.

“Kosova është një ndër shtetet më të varfra në rajon dhe Evropë dhe një ndër vendet me punëtorët me të shtypur dhe prandaj nuk guxojnë që të protestojnë. Kjo shtypje ka ndodh që 20 vite”, ka thënë ai.

Llumnica gjithashtu ka kërkuar themelimin e një gjykate të punës, për mbrojtjen dhe gjykimin e drejtë të punëtorëve të cilët largohen nga puna pa asnjë të drejtë.

Gjithashtu kërkesë e tij është po ashtu edhe njohja e viteve të punës në vitet e 90-ta si dhe rinovimin e kontratës kolektive.

“Kërkesë tjetër e jona është njohja e viteve të punës në vitet 1990. Të gjitha ata që kanë punuar në ato vite të ju njihet kjo e drejtë e punës. Dhe lus qeverinë e re që së shpejti të filloj me këtë procedurë. Kemi kontratën kolektive e cila nuk është aprovuar qysh në vitin 2018, kërkojmë që të rinovohet kjo kontratë. Zbatimi i ligjit të punës, besoj që punëdhënësit nuk e kanë lexuar ligjin e punës, pasi është duke u shkelur ky ligj”, tha ndër të tjera, Llumnica.

Ndryshe, kjo protestë është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës dhe Myriad. Ndërsa protestës i janë bashkuar edhe disa sindikata. /Telegrafi/