Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR Kosovo) organizoi një protestë para zyrës së avokatit Tomë Gashi, për të kundërshtuar siç thanë ata sjelljen e tij abuzive që bëri ditë më parë ndaj një lypsari në shesh të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Me pankarta në duar “Ti a po na mbron a po na shkelë, “Detyrë shtëpie: Mëso të drejtat e njeriut”, ata protestuan para zyrës se avokatit Tomë Gashi.

Njëra ndër organizatoret e kësaj proteste, Blendë Pira, tha se dënojnë veprimin e avokatit Tomë Gashi, teksa kërkuan që këto veprime të mos përsëriten më asnjëherë.

“Sot jemi mbledhur për të shprehur indinjatën tonë për veprimin e Tomë Gashit. Një video është bërë virale që avokati Tomë Gashi ka qenë duke shkelmuar paratë e një personi që ka qenë duke kërkuar lëmoshë. Ne dënojmë ashpër veprimin dhe aktin e tij”.

“Do të avokojmë për të drejtat e njeriut edhe ndaj veprimeve të tilla që mos të përsëriten. Nuk do lejojmë veprime të tilla te mbesin në harresë. sepse kjo është legjitimim i këtij veprimi, si të rinj dhe si pjesë e shoqërisë civile do të jemi të zëshëm ndaj veprimeve të tilla. Askush s’ka të drejtë të marrë drejtësinë në dorë janë organet kompetente për këtë punë”, tha ajo.

Deputeti nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha tha se më këtë veprim avokati Gashi e ka marr punën e shteti në dorë.

“Nuk jam ndjerë mirë me veprimet e avokatit Tomë Gashi është personalitet i njohur që njeh drejtësisë të drejtat e njerëzve, ka dalë nga kompetencat e tij prej mandatit të tij. Ne si qytetar kemi të drejtë vetëm të ndihmojmë shtetin në luftimin e dukurive negative. Gashi ka marrë punët e shtetit në dorë”, tha ai.

Hasan Blaku, një qytetar tha se ka shkuar të ankohet vet në Odën e Avokatëve, pasi që është ndjerë shumë i irrituar nga veprimi i Gashit.

Ai kërkon që Gashit t’i merret licenca dhe t’i ndalohet ushtrimi i profesionit prej avokatit.

“E kam pa veprimin e poshtër qe ka bërë dhe jam irrituar aq shumë sa kam shkuar në Oden e Avokatëve. E kam denoncu si padi gati kam kërkua që ta përjashtojë nga oda Gashin. Për atë veprim t’ia merr licencën sepse kam kërkua mos ta delegojnë asnjëherë ne gjykatë themelore ne Prishtinë. Ai ia ka marrë fytyrën edhe atyre, por vetes mese shumti. Kam than o Tomë Gashi ta marroftë zoti fytyrën. Shyqyr qe skam qellu aty se s’kisha lyp polici kisha qeru hesapet aty me Tomën”, tha ai.

Gjatë mbajtjes së protestës, para hyrjes së zyrës së Tomë Gashi kanë qëndruar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.